Alimehmeti çon ‘në pëshë’ demokratët: Është koha e llogarive të mëdha
“Mjaft më! Interesi i Shqipërisë, para interesit të partisë”
Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së dhe një prej më të votuarve në listën e hapur të kandidatëve për deputet më 11 maj, iu bashkua “Foltores” së Durrësit të iniciuar nga anëtari i Kryesisë, Ervin Salianji. Në një sallë të mbushur me demokratë, Alimehmeti dha një mesazh të fortë për bashkim, përgjegjësi dhe nevojën për ndryshim të menjëhershëm.
Në nisje të fjalës së tij, ai theksoi se demokratët kanë treguar forcë dhe rezistencë, pavarësisht 12 viteve në opozitë:
“Mendoj që ju jeni të fortë, sepse edhe në vitin e 13 të opozitës vazhdoni mbani këtë krenari për të qenë kjo PD këtu,” u shpreh Alimehmeti.
Ai theksoi se largimi i qeverisë aktuale është domosdoshmëri dhe se këtë mund ta arrijë vetëm e djathta:
“Sa më shpejt ta heqim këtë qeveri. Dhe këtë e bën vetëm e djathta që vë interesin e Shqipërisë para partisë.”
“PD duhet të bashkohet – kjo është fryma e duhur”
Alimehmeti vuri theksin tek hapja, mendimi i lirë dhe përfshirja e çdo demokrati:
“Kjo është frymë për të bashkuar çdo përpjekje, çdo ide brenda dhe jashtë Shqipërisë. T’i mbledhim këto ide për të krijuar një PD sa më të fortë. Të kuptojmë si të përmirësohemi dhe si të çojmë mesazhin më mirë.”
Ai nënvizoi se Partia Demokratike është një parti e lirë ku mendimet duhen ndarë hapur dhe jo të mbahen brenda zyrave.
Kritika të forta për qeverinë dhe Ballukun
Gjatë fjalës së tij, Alimehmeti ironizoi skandalet e qeverisë, duke sjellë si shembull praktikat e zv.kryeministres Belinda Balluku:
“Me një të rënë të lapsit, Balluku merrka 50 milionë euro për një tunel dhe në fund nuk e dimë: a është i sigurt, a është i kalueshëm apo jo. Si mund të jemi mirë me këto situata?”
Sipas tij, regjimi i Ramës duhet rrëzuar urgjentisht:
“Ky regjim heq të ardhmen e fëmijëve tanë. Kemi nevojë këtë regjim ta hedhim një orë e më parë.”
Në vijim, ai kujtoi se e djathta gjithmonë ka vendosur Shqipërinë përpara partisë dhe se PD ka potencial real për të rikthyer shpresën:
“Ne mendojmë se mund të bëjmë më të mirën e mundshme përmes PD.”
Takimi i Foltores në Durrës, i zhvilluar bashkë me Ervin Salianjin dhe strukturat lokale, u konsiderua si një prej takimeve më energjike të javëve të fundit, ku mesazhi kryesor ishte i qartë: bashkim, hapje dhe përgjegjësi për ndryshim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



