“Alo…po pinë cigare në Kuvend”, deputetëve u ndodh e papritura
Inspektorati i shëndetësisë zbarkon në Parlament
Një telefonatë e mbërritur në zyrat e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) për konsumim të duhanit brenda ambienteve të Kuvendit ka bërë që inspektorët të nisen menjëherë drejt lokalit të parlamentit.
Deputetët, të cilët kishin qëndruar mbi 12 orë në sallën e seancës maratonë, shfrytëzuan ambientet e lokalit për të shoqëruar kafenë me një cigare, por u habitën kur panë inspektorët e Shëndetit Publik.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ngriti çështjen në Kuvend:
“Janë disa inspektorë që kontrollojnë ambientet e punës së deputetëve. Nuk ushtron dot kontroll prokuroria pa autorizim të seancës plenare. Jeni duke shkelur rëndë kushtetutën, jeni duke u sjellë në mënyrë të papërgjegjshme me gjestin që jeni duke bërë.”
Ministrja e Shëndetësisë, Sala, konfirmoi se:
“Është inspektorati i autorizuar për të kryer kontrollet.”
Por në krah të Bardhit doli edhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi:
“Duhani nuk duhet lejuar. Forma dhe procedura e inspektimit, padyshim z. Bardhi ka të drejtë. Për momentin se nuk bëhet kiameti, inspektorët të largohen.”
Pas inspektimit, ISHSH sqaroi se veprimet e tyre bëhen në kuadër të zbatimit të Ligjit nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, si dhe Ligjit nr. 92/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Programi i Inspektimeve parashikon monitorimin e zbatimit të ligjit gjatë periudhës tetor–maj, por nuk kufizon veprimtarinë vetëm në këtë periudhë. Çdo inspektim përfshin edhe vlerësimin e respektimit të kërkesave ligjore nga subjektet e kontrolluara, si dhe këshillimin e tyre për shmangien e shkeljeve dhe pasojat ligjore të mosveprimit.
Vetëm gjatë periudhës 1 tetor – 4 dhjetor 2025, ISHSH ka kryer 1411 inspektime, 954 këshillime dhe 10 paralajmërime në të gjithë vendin, duke marrë gjithashtu 2 Vendime të Ndërmjetëm për subjekte që tregtonin produkte të duhanit.
Nisur nga telefonata për pirje duhani në ambientet e Bar Kafe, brenda Parlamentit, trupa inspektuese u paraqit më 4 dhjetor 2025 në orën 13:00 dhe kryeu inspektimin deri në orën 21:00, në përputhje me Urdhërin Nr. 20 dhe 20/1 dhe Ligjin Nr. 9636.
ISHSH thekson se mbetet e angazhuar në zbatimin rigoroz të ligjit dhe nxit bashkëpunimin e të gjitha institucioneve për të siguruar një monitorim efektiv dhe të vazhdueshëm të konsumimit të duhanit në ambientet publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



