Altin Çoku flet nga qelia: Sibelën e kanë vrarë, s’kishim lidhje intime
Historia tragjike e Sibela Abedinit, e reja që dyshohet se i dha fund jetës duke u hedhur nga pallati ku banonte, është rikthyer sërish në vëmendje publike, pasi rasti është trajtuar edhe në një emision televiziv. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 10 shkurt 2024, në zonën e Kamzës, duke tronditur opinionin publik dhe duke hapur një debat të gjerë mbi rrethanat reale të vdekjes së saj.
Në lidhje me këtë ngjarje, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Altin Çokut, 39 vjeç, i dyshuar për përfshirje në ngjarje. Çoku ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se nuk është personi që ka publikuar fotografinë intime me 27-vjeçaren dhe se arrestimi i tij, sipas tij, është i paligjshëm.
I dyshuari ka pretenduar para gjykatës se i kishte kërkuar vetë të resë që të bënte denoncim, një version që kundërshtohet nga Prokuroria. Sipas organit të akuzës, përmes shpërndarjes së fotografisë intime, Çoku i ka shkaktuar viktimës një gjendje të rënduar emocionale dhe psikologjike, e cila dyshohet se ka ndikuar drejtpërdrejt në përfundimin tragjik të ngjarjes.
Në dëshminë e tij, 39-vjeçari ka deklaruar se është përdorues i rrjeteve sociale, përfshirë TikTok-un, ashtu si shumë persona të tjerë, por ka mohuar se ka qenë ai që ka publikuar fotografinë. Ai ka pohuar se përgjegjës për publikimin është një person me inicialet A.H., nga zona e Fushë-Milotit.
Më herët, përmes një videoje të publikuar në TikTok, Çoku kishte pretenduar se ky person i kishte hapur telefonin dhe kishte marrë prej aty fotografinë intime me Sibelën, duke e shpërndarë më pas në rrjetin social.
Altin Çoku nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Në vitin 2014, ai ishte akuzuar për gjobëvënie ndaj një mjeku në Kurbin. Sipas dosjes së asaj kohe, nën kërcënime përmes telefonatave dhe letrave, mjeku ishte detyruar t’i dorëzonte në periudha të ndryshme një shumë prej rreth 4 mijë eurosh.
Nga ambientet e burgut, Çoku ka mohuar kategorikisht se ka pasur një marrëdhënie intime me Sibelën, duke theksuar se mes tyre kishte ekzistuar vetëm një lidhje emocionale. Ai ka insistuar se fotografia intime ishte një montazh, ndërsa ka shprehur bindjen se Sibela nuk është vetëvrarë, por është vrarë, duke akuzuar drejtpërdrejt policinë për përfshirje në krim.
Në deklarimet e tij, Altin Çoku është shprehur se ndihet i padrejtësuar rëndë nga shteti shqiptar, duke theksuar se ka kërkuar vazhdimisht zbardhjen e së vërtetës. Ai ka deklaruar se e kishte njohur Sibelën në një lokal, rreth dy javë para ngjarjes, më 26–27 janar, dhe se ajo kishte shkuar vetë në tavolinën e tij për të bërë një foto.
Sipas tij, fotografia që qarkulloi në rrjet ishte e modifikuar dhe nuk pasqyronte realitetin. Ai ka pohuar se kishte njoftuar Sibelën menjëherë sapo fotoja u shfaq në TikTok dhe se kishte kontaktuar numrin e emergjencës për të pyetur se ku mund të bënte një denoncim. Çoku ka deklaruar se kishte kryer denoncimin dhe më pas ishte larguar, ndërsa ditën kur Sibela humbi jetën, policia kishte shkuar dhe e kishte arrestuar.
Ai ka kundërshtuar edhe deklaratat e nënës së viktimës, duke thënë se nuk janë të vërteta pretendimet se ai e kishte shantazhuar Sibelën. Sipas Çokut, Sibela kishte shkuar edhe në banesën e tij dhe ai i kishte kërkuar vazhdimisht që të bënin denoncim për publikimin e fotos. Ai ka pohuar se i kishte kërkuar kontakte për një avokat dhe se kishte tentuar të sqaronte situatën edhe me ish-partneren e tij.
Në deklarimet e gjata, Çoku ka pretenduar se është ndjerë i bullizuar më shumë se kushdo tjetër në këtë histori dhe se ndaj tij është ushtruar një linçim publik. Ai ka pohuar se media ka deformuar ngjarjen për klikime, duke hedhur baltë mbi figurën e tij dhe familjen, ndërsa ka theksuar se prindërit e tij kanë shitur edhe sendet personale për t’i sjellë ushqime në burg.
Sa i përket ngjarjes tragjike, Sibela Abedini humbi jetën pasi u hodh nga kati i katërt i një pallati në Kamëz. Ajo ishte e martuar në Kosovë dhe nënë e një vajze 2-vjeçare. Për shkak të problemeve me bashkëshortin, ajo ishte kthyer për të jetuar pranë prindërve të saj në Shqipëri.
Nëna e Sibelës ka hedhur akuza të forta publike, duke deklaruar se vajza e saj nuk është vetëvrarë, por është vrarë. Sipas saj, presioni psikologjik, dhuna morale dhe ajo që ajo e cilëson si persekutim i vazhdueshëm e kanë çuar vajzën drejt një fundi tragjik.
Në daljet e saj publike, ajo ka drejtuar gishtin e akuzës ndaj Altin Çokut, duke kërkuar drejtësi të plotë dhe zbardhjen e çdo rrethane që lidhet me vdekjen e vajzës së saj.
“Më është bërë padrejtësi e madhe nga shteti shqiptar. Duke pasur fëmijë dhe vetë, kam kërkuar që të zbardhet e vërteta. Nuk mund ta quaj avokat, por hero, përfaqësuesin tim. Më është mohuar e drejta ime. Unë dhe e ndjera jemi njohur në një lokal. Unë sa i përket familjes Abedini, i shpreh ngushëllime. Nuk është asgjë e vërtetë, pasi unë nuk i kam nxjerrë foton intime asaj. Jemi njohur në një lokal rreth 2 javë para se të ndodhte ngjarja, në fund të lokalit, 26-27 janar. Ajo erdhi në tavolinë, më kërkoi që të bëhej një foto. Ajo foto është e modifikuar, pasi unë e kam shpirtin e plot (Foto ku shfaqeshin të dy në momente intime). Unë jastëkun e mbush me lot çdo natë, se s’ma hap telefonin familja. Kemi pasur një lidhje, por jo intime, një pëlqim ndaj njëri-tjetrit. Në momentin kur kam qenë live në tiktok, doli fotoja. E njoftova Sibelën që kishte dalë një foto dhe i thash; të bëfsha gropën ty dhe vetes, se ka dalë e modifikuar. Unë më pas mora në telefon 129 dhe pyeta se ku mund të bëja një denoncim. Bëra denoncimin dhe ika. Në 10 shkurt kur e ndjera ndërroi jetë, kanë ardhur dhe me kanë arrestuar. Nuk janë të vërteta ato që tha Danjela, se ajo ka qenë e shqetësuar se humbi vajzën 29 vjeçe. Ajo ka thënë; po ta dija që Altini po ma shantazhonte vajzën, do kisha shkuar ta kallëzoja. Sibela ka ardhur në shtëpinë time. Unë i jam lutur që të bënim denoncimin. Unë i kërkova kontakte një avokati. Jam laçian, dhe i kam thënë; hajde të shkojmë te Kisha e Laçit se nuk të kam tradhtuar, i kam thanë gruas time. Ish-bashkëjetuesja iku te njerëzit e vetë pasi kishte parë foton. Kur Sibela erdhi në banesën time, kishte ikur ish-bashkëjetuesja. I thash; ‘të lutem, hajde bëjmë denoncim’. Nuk kam pasur raport intim me të. Unë dhe ish-partnerja ime e kemi kaluar që nga 2017-ta jetën si në telenovela, pasi kishte shumë njerëz që nuk na donin. Më shumë i bullizuar kam qenë unë në këtë histori. Pasi kanë shkuar për në fallxhorë për të na ndarë. Unë mendoj se Sibela është vrarë nga një dorë e zezë, pasi ajo ishte vajzë me shumë ëndrra, e gjallë. Unë mendoj se për vrasjen e saj janë përfshirë uniformat blu, pasi nuk kërkojnë as zbardhjen e ngjarjes. Nuk bëjnë asgjë për të zbardhur ngjarjen. Mediat po e them me plot gojën, për një klikim i bëjnë gjërat trashanike, sa kanë hedhur baltë mbi mua dhe vajzën time. Nuk u dal dot para babait dhe nënës time, që kanë shitur unazat për të më sjellë mua ushqime në burg. E vetmja gjë që kam thënë për pjesën e Sibelës kam thënë; kush ka hedhur foton në Tiktok, do ia thyej gishtat. Nuk kam pasur marrëdhënie me kushërirën time, janë gënjeshtra,” tha Altin Çoku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



