Tre punonjës policie, ata që duhet të të mbrojnë nga dhuna, të ndalojnë shkelësit, kanë bërë të kundërtën. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka bërë publike tri raste abuzimi në Korçë, Elbasan dhe Tiranë ku efektivë të policisë janë kapur në shkelje të rënda ligjore, që variojnë nga shkaktimi i aksidentit në gjendje të dehur, te ushtrimi i dhunës ndaj një gruaje, e deri te shpërdorimi i detyrës për të favorizuar shkelësit e qarkullimit. Sjelljet e tyre bien ndesh me misionin e tyre: mbrojtjen e qytetarëve dhe zbatimin e ligjit.
Në flagrancë janë arrestuar dy punonjës policie ndërsa një tjetër është pezulluar nga detyra.
Në Korçë, është arrestuar në flagrancë Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit në MZSH (Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin) në Bashkinë Korçë. Ai që duhet të shpëtojë jetë u kthye në rrezik publik. I dehur shkaktoi aksident në unazën e Korçës duke u përplasur me një makinë tjetër. Nuk mjaftoi me kaq, por u largua nga vendi i ngjarjes. Testi i alkoolit rezultoi 1.07 mg/l
Në Elbasan inspektori B.T., 54 vjeç, i cili duhej të ishte garant i sigurisë rrugore shfrytëzonte uniformën për të favorizuar ata që shkelnin rregullat e qarkullimit rrugor. AMP urdhëroi pezullimin e tij nga detyra për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Skandali më tronditës vjen nga Tirana, ku oficeri i patrullës së përgjithshme B.M., 24 vjeç, është arrestuar për “përndjekje” dhe “dëmtime me dashje” ndaj ish-partneres së tij. Viktima ka raportuar se më 25 maj 2025, është dhunuar fizikisht nga ish i dashuri i saj, dhe përndiqej vazhdimisht duke i shkaktuar pasiguri në jetën e saj. Një rast flagrant ku uniforma blu përdoret për abuzim personal dhe dhunë gjinore.
Njoftimi zyrtar:
Korçë
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 57 vjeç, me detyrë Shef i Zyrës së Inspektim-Parandalimit, në Drejtorinë e Shërbimit të MZSH-së në Bashkinë Korçë, i dyshuar për “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Arrestimi i tij u krye pasi duke drejtuar automjetin Volksëagen Pasat në unazën e qytetit të Korçës, ai është përplasur me mjetin Mercedes Benz që drejtohej nga shtetasi J. S. dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Nga aksidenti ka patur vetëm dëme materiale.
Pas testimit të bërë me aparatin Drager ai rezultoi mbi normën e lejuar, në masën 1.07 mg/l.
Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Elbasan
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Inspektor B. T., 54 vjeç, me detyrë Trup Shërbimi pranë Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Masa e sigurisë u caktua në kuadër të procedimit penal të vitit 2024, ku nga veprimet hetimore të thelluara nën drejtimin e Prokurorisë u bë e mundur grumbullimi i provave dhe fakteve që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se punonjësi i policisë B. T. ka favorizuar drejtues të ndryshëm automjetesh, të cilët kryenin shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor,
Tiranë
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor B. M., 24 vjeç, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Përndjekja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Arrestimi i tij u krye pas kallëzimit të shtetases M.H., 27 vjeçe, e cila ka deklaruar se B. M., ish i dashuri i saj, më datë 25.05.2025 ka ushtruar dhunë fizike dhe e ka përndjekur vazhdimisht duke i shkaktuar pasiguri në jetën e saj.
Materialet proceduriale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.