Anëtarët e bordit të Universitetit të Shkodrës pa dëshmi penaliteti
Ministria hesht
Marjana Koçeku ngre pikëpyetje për heqjen e kriterit të dëshmisë së penalitetit: Për kë e hoqën?
Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar për situatën e krijuar rreth Bordit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, duke e shoqëruar qëndrimin e saj edhe me nota ironike.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Koçeku ngre shqetësimin për ndryshimin e kritereve që lidhen me kandidaturat për anëtarë të Bordit të universitetit. Sipas saj, një kriter që kishte qenë në fuqi prej rreth një dekade është hequr në mbledhjen e fundit të Senatit Akademik.
Në qendër të reagimit është pika që lidhej me dëshminë e penalitetit dhe garantimin e pastërtisë ligjore të kandidatëve.
Koçeku e krahason këtë situatë me kriteret që zbatohen për një pozicion të thjeshtë administrativ në bashki, duke ironizuar faktin se për një sportelist kërkohet dëshmi penaliteti, ndërsa për një anëtar të Bordit të një universiteti ky dokument nuk do të jetë më pjesë e kritereve.
“Për me u ba sportelist në bashki, të kërkojnë dëshminë e penalitetit. Kurse me u ulë në Bordin e Universitetit të Shkodrës… prej ditës së Hanë, me 21 shtator, ajo dëshmi penaliteti nuk duhet ma”, shkruan deputetja.
Sipas Koçekut, në mbledhjen e fundit të Senatit Akademik është vendosur heqja nga kriteret e pikës “d”, e cila parashikonte pastërtinë ligjore të kandidaturave për anëtarë të Bordit.
Deputetja pretendon se ndryshimi është bërë pavarësisht faktit se kriteri ka qenë në fuqi për një periudhë të gjatë. Ajo citon edhe qëndrimin e rektores së Universitetit të Shkodrës, dr. Blerta Dragusha, sipas së cilës fakti që një kandidat mund të ketë qenë i ndjekur penalisht, i dënuar apo i përfshirë në vepra penale nuk përbën më pengesë për kandidimin dhe zgjedhjen.
“Nji rregull që ka ndejtë dhjetë vjet nuk hiqet rastësisht, nji të hane në mëngjes, pa media në sallë. Kjo asht nji çështje që prek drejtpërdrejt standardin moral dhe institucional të universitetit”, shprehet Koçeku.
Një pjesë të veçantë të reagimit deputetja ia kushton edhe Ministrisë së Arsimit, duke e cilësuar heshtjen e institucionit si shqetësuese.
Koçeku pretendon se, sipas një urdhri të vitit 2025, Ministria përcakton kritere që lidhen me gjendjen gjyqësore dhe integritetin ligjor të kandidatëve. Për këtë arsye, ajo kërkon të dijë se mbi çfarë baze është ndryshuar kriteri për Universitetin e Shkodrës dhe pse nuk ka pasur një reagim nga ministria.
“Atëherë mbi çfarë baze hiqet ky kriter për Universitetin e Shkodrës dhe pse nuk ka asnji reagim institucional?”, pyet deputetja.
Në përfundim, Koçeku e zhvendos debatin te arsyeja që, sipas saj, mund të ketë çuar në heqjen e kriterit.
“Nëse për Universitetin e Shkodrës, që mban e emnin e madh ‘Luigj Gurakuqi’, qenka ba ky përjashtim, atëherë pyetja nuk asht pse e hoqën. Pyetja asht: për kë e hoqën?”, përfundon ajo.
Pretendimet e deputetes lidhen me një vendimmarrje të Senatit Akademik dhe me kriteret për përbërjen e Bordit të Universitetit të Shkodrës. Për të vlerësuar nëse ndryshimi përputhet me kuadrin ligjor dhe aktet në fuqi, nevojitet shqyrtimi i dokumenteve përkatëse institucionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



