Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Ilir Metës për lirim nga burgu
Apeli i GJKKO ka vendosur të rrëzojë kërkesën e ish-presidentit, Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Meta kishte kërkuar lirimin nga qelia dhe kalimin në “arrest shtëpie”, duke ofruar edhe një garanci pasurore prej 50 mijë eurosh. Megjithatë, kërkesa e tij nuk është pranuar nga gjykata.
Sipas njoftimit zyrtar, trupa gjykuese vendosi mospranimin e ankimit të paraqitur nga Meta, përmes mbrojtësit të tij ligjor.
Çështja lidhej me ankimin kundër një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila kishte refuzuar ndryshimin e masës së sigurisë.
Në përfundim, Apeli la në fuqi vendimin ekzistues, duke e mbajtur në burg ish-presidentin. Gjykata sqaroi gjithashtu se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë.
Njoftimi i GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 04.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 120 akti, datë 22.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit I.M: “Ankim kundër vendimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg, në një masë tjetër: arrest në shtëpi, garanci pasurore, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ose ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe vendosi: – Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Kujtim Cakrani, ndaj disponimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Ky vendim t’i njoftohet palëve. – Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë. Tiranë, më 04.05.2026.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



