Apeli liron ish-shefin e Komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari
Gjykata e Apelit ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-shefit të Komisariatit të Policisë Sarandë, Gëzim Bashllari, duke vendosur lirimin e tij nga qelia.
Togat e zeza të shkallës së dytë kanë zëvendësuar masën “arrest me burg” me atë të “detyrimit për t’u paraqitur” pranë policisë gjyqësore. Vendimi i Apelit i hap kështu rrugë daljes së Bashllarit nga burgu, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë.
Ish-drejtuesi i Policisë së Sarandës ishte ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën dyshimet për shpërdorim detyre.
Hetimi lidhet me mënyrën e ushtrimit të kontrolleve dhe ndjekjes së procedimeve për ndërtimet pa leje në zonën e Sarandës dhe Ksamilit.
Me vendimin e ri, Bashllari nuk do të qëndrojë më në paraburgim, por do të jetë i detyruar të paraqitet periodikisht pranë policisë gjyqësore, në përputhje me masën e re të sigurisë.
Vendimi i Apelit nuk përbën një vendim mbi fajësinë apo pafajësinë e tij, ndërsa procedimi penal ndaj ish-drejtuesit të policisë vijon.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



