E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ardita Kuçi vazhdon të vjedhë fondet e bujqësisë, SPAK hesht!
Lajme

Ardita Kuçi vazhdon të vjedhë fondet e bujqësisë, SPAK hesht!

Në një shkrim të publikuar së fundmi në rrjetin social “Facebook”, gazetari Almer Toska hedh akuza të drejtpërdrejta mbi Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), duke e përshkruar atë si një “strukturë të organizuar abuzimi” që, nën drejtimin e drejtoreshës Ardita Kuçi, ka devijuar misionin e saj nga mbështetja e bujqësisë, në shpërndarjen e fondeve publike dhe europiane për interesa klienteliste.

Sipas denoncimit, ndërkohë që fermerët e vërtetë përballen çdo ditë me mungesën e mbështetjes, me naftën që nuk u shpërndahet dhe me tokat që mbeten të pashfrytëzuara, fondet e AZHBR-së përfundojnë në duart e individëve pa aktivitet real bujqësor. Bëhet fjalë për subvencione për ferma fiktive, fatura për karburant për ata që nuk kanë asnjë hektar tokë dhe projekte të fryra në letër që nuk ekzistojnë në terren.

Një skemë e heshtur apo e padukshme?

Shkrimi i Toskës ngre pyetje serioze mbi rolin e drejtësisë, në veçanti të SPAK, i cili deri më tani nuk ka ndërmarrë asnjë hetim të hapur mbi aktivitetin e kësaj agjencie, pavarësisht informacioneve dhe dyshimeve publike për abuzim me fondet.

“Nëse kjo agjenci do të kishte vepruar në ndonjë vend tjetër europian, drejtuesit e saj do të ishin përballur me drejtësinë për shpërdorim fondesh dhe mashtrim me fondet e BE-së,” shkruan gazetari, duke shtuar se “në Shqipëri, Ardita Kuçi vijon të komandojë AZHBR-në me të njëjtën arrogancë dhe mbështetje politike.”

Në qendër të akuzave janë edhe kontratat me kompani fantazmë, manipulimi i dokumentacionit për subvencione, si dhe mungesa e një mekanizmi real verifikimi në terren. Denoncimi përshkruan një “makineri burokratike” që funksionon në mënyrë të mbyllur dhe që shpërndan fondet në mënyrë selektive.

Fermeri i vërtetë, i lënë pas dore

Në kontrast me këtë panoramë, fermeri i zakonshëm – ai që punon tokën çdo ditë – përshkruhet si “viktima” e sistemit: pret në radhë për një bidon naftë, nuk përfiton nga subvencionet dhe sheh në media njoftime për mbështetje që nuk përkthehet kurrë në ndihmë konkrete.

“AZHBR sot nuk është për fermerin. AZHBR është për klientët e pushtetit,” thuhet më tej në analizë.

“Në çdo cep të Shqipërisë, fermerët e vërtetë po përballen me mungesën e mbështetjes, me tokat që thahen, me naftën që s’vjen kurrë dhe me subvencionet që shkojnë për “fermerë” që ekzistojnë vetëm në letra. Ndërkohë, në zyrat e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), nën drejtimin e Ardita Kuçit, vazhdon pa u ndalur një nga skemat më të paturpshme të vjedhjes së fondeve publike dhe atyre të Bashkimit Europian.

AZHBR u krijua për të ndihmuar bujqësinë, për të fuqizuar fermerin, për të zhvilluar zonat rurale dhe për të mbështetur ekonominë e fshatit. Por ajo që ndodh sot është e kundërta e çdo misioni publik. Ky institucion është kthyer në një makineri grabitjeje të organizuar, ku çdo tender, çdo subvencion, çdo faturë kalon përmes rrjeteve të interesit të ngritura nga vetë drejtuesit.

Në krye të kësaj skeme që funksionon me preçizionin e një grupi të strukturuar kriminal qëndron drejtoresha Ardita Kuçi. Ajo është kthyer në simbolin e një burokracie të korruptuar që nuk njeh as turp, as ndëshkim, dhe që prej vitesh luan me paratë e fermerëve si të ishin pronë personale.

Burime nga brenda institucionit flasin për subvencione për ferma që nuk ekzistojnë, fatura për naftë për fermerë që s’kanë asnjë hektar tokë, skema për blegtori me dele e lopë që ekzistojnë vetëm në Excel, dhe kompani-fantazmë që marrin miliona euro për projekte që nuk kanë parë kurrë dritën e diellit.

Ndërkohë, fermeri i ndershëm, ai që zgjohet në agim për të punuar tokën, pret në radhë për një bidon nafte. Ai sheh lajmet për “mbështetje rekord” nga AZHBR, por nuk merr asgjë. Sepse AZHBR sot nuk është për fermerin. AZHBR është për klientët e pushtetit, për të afërmit e drejtoreshës, për njerëzit që dinë t’i telefonojnë zyrtarët e duhur dhe të marrin para për projekte fiktive.

Dhe në këtë histori, më skandaloze se çdo faturë mashtruese është heshtja e SPAK-ut.

Institucioni që u krijua për të luftuar korrupsionin e lartë, bën sikur nuk sheh.

Dosjet e AZHBR-së janë plot me elementë që duhej të ishin hetuar prej kohësh — por në vend të hetimeve, kemi heshtje. Në vend të përballjeve me drejtësinë, kemi promovime dhe deklarata për “sukseset” e rreme të agjencisë.

Pse hesht SPAK-u?

Pse nuk hetohen tenderat e AZHBR-së?

Pse nuk kontrollohen fushatat e subvencioneve ku çdo fletë shoqërohet me mashtrime?

Pse nuk pyetet asnjë fermer i vërtetë në terren për të parë ku shkuan paratë?

Nëse kjo agjenci do të kishte vepruar në ndonjë vend tjetër europian, drejtuesit e saj do të ishin para gjykatës për shpërdorim fondesh dhe mashtrim me fonde të BE-së. Por në Shqipëri, Ardita Kuçi vazhdon të komandojë AZHBR-në me të njëjtën arrogancë, me të njëjtat lidhje politike, me të njëjtin guxim që i jep mosndëshkimi.

Kjo është fytyra e vërtetë e korrupsionit shqiptar: një drejtoreshë që shpërndan fondet e bujqësisë mes miqsh e militantësh, një agjenci që i ka kthyer dosjet e subvencioneve në fatura mashtrimi, dhe një SPAK që bën sehir.

Shqiptarët kanë të drejtë të pyesin:

A është SPAK pjesë e heshtjes së organizuar për të mbrojtur Ardita Kuçin dhe njerëzit e saj?

A ka ndonjë dosje të mbyllur në sirtar që pret “urdhërin e duhur” për t’u hapur?

Sa fonde europiane janë vjedhur ndër vite në emër të bujqësisë, ndërsa fermerët e vërtetë kanë mbetur pa asnjë ndihmë?

Nëse drejtësia nuk lëviz tani, atëherë çdo raport, çdo auditim, çdo “reformë” është një farsë. AZHBR është dëshmia e gjallë se korrupsioni në Shqipëri nuk është thjesht abuzim me para, por një sistem i tërë që mbron vetveten, nga zyrat e larta deri te dosjet e fshatit.

Kjo agjenci nuk ka më lidhje me bujqësinë, me zhvillimin apo me fermerët. AZHBR është kthyer në një korporatë të korrupsionit publik, me logo shtetërore dhe me drejtoreshë që komandon në heshtje të plotë të drejtësisë.

Derisa SPAK të guxojë të veprojë, çdo euro e re që shkon në AZHBR është një euro e humbur për fermerët shqiptarë dhe një tjetër plagë në trupin e bujqësisë sonë,” shkruan gazetari Almer Toska.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.