Arkend Balla, deputeti fenomenal i Troplinëve

Që fsheh lidhjet me krimin dhe pasurinë e dyshimtë

Sikur të kishte rënë nga qielli, një emër anonim në politikën shqiptare, Arkend Balla, theu çdo rekord votash në zgjedhjet e 11 majit, duke kaluar edhe vetë Edi Ramën. Pa asnjë ditë angazhim publik, pa kontribute në fushatë, dhe me një profil thuajse të padukshëm, Balla u bë deputeti më i votuar i Partisë Socialiste me mbi 20 mijë vota vetëm në Durrës.

Por kush është në të vërtetë Arkend Balla?

Me një CV njëfaqëshe, ku përmendet si punonjës në universitetin “Aleksandër Moisiu”, karriera e tij politike nisi papritur në vitin 2023, kur zëvendësoi Rrahman Rrajën në Kuvend. Në këto dy vite, është klasifikuar ndër deputetët më inaktivë. Pasuria e deklaruar në 2022 është modeste, por një deklarim i vitit 2013 tregon për kursime marramendëse prej 2.3 milionë eurosh  të pretenduara si të ardhura nga “paga”.

Përtej pasurisë së dyshimtë, lidhjet e Ballës me krimin janë edhe më shqetësuese. Ai ka qenë i punësuar në kompaninë “NISATEL”, në pronësi të Sadrit Danajt  vëllai i dy personazheve të akuzuar për trafik droge dhe pastrim parash, Nexhmedin dhe Vexhi Danaj. Këta të fundit janë përfshirë në hetime të antimafies italiane dhe policisë spanjolle, ku dyshohet se kanë qarkulluar mbi 65 milionë euro përmes skemave të pastrimit të parave.

Një ndër kompanitë e lidhura me ta, “2B&U Company”, mori në dhjetor 2024 leje ndërtimi luksoze në Radhimë, me firmë të Edi Ramës. Ndërkohë, një tjetër kompani e lidhur me Visin e Pojës – kreun e organizatës famëkeqe “Troplini” – “Eldemar Construction”, jo vetëm që nuk u sekuestrua nga SPAK, por nëpërmjet firmës së Ramës, përfitoi leje për të ndërtuar një hotel 10-katësh në bregdetin e Golemit.

Zyrtarisht, SPAK pretendon sekuestrime, por faktet tregojnë që kompanitë vazhdojnë aktivitetin të pashqetësuara, ndërsa pasuritë e tyre legjitimohen me letra të firmosura nga qeveria. Në vend që t’i hetonte lidhjet e Ballës me këtë rrjet të fuqishëm, që përfshin trafik ndërkombëtar, pastrim parash dhe investime në Shqipëri, SPAK mbyll sytë  ose i mbron.

Në fund, rezulton se fenomeni Arkend Balla nuk është aspak rastësi, por pjesë e një skeme të mirëorganizuar, ku krimi financon vota dhe pastaj, përmes pushtetit, pastron paratë. Dhe ndërsa ndërkombëtarët denoncojnë, në Tiranë jepet leja për hotel.

🟥 Publik.al | Kur faktet flasin vetë

Publikuar nga Publik Media