Arrestohet administratori i ECO-ELB, Leli Kaja
Administratori i kompanisë publike “ECO-ELB”, Leli Kaja, është arrestuar pasditen e sotme në Elbasan, në kuadër të hetimit që lidhet me menaxhimin e mbetjeve dhe marrëdhëniet financiare të kompanisë me tetë bashkitë e qarkut.
Sipas burimeve, Kaja është ndaluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në lagjen “Fushë Mbret” të Elbasanit. Në këtë fazë nuk janë bërë ende të ditura akuzat konkrete ndaj administratorit, ndërsa detajet pritet të bëhen publike pas zbardhjes së vendimit për masën e sigurisë.
Emri i Leli Kajës ishte përfshirë edhe më herët në hetimin ndaj “ECO-ELB”. Në korrik 2025, në kuadër të të njëjtës çështje, janë zhvilluar 14 kontrolle në banesat e personave të lidhur me hetimin, mes tyre edhe në banesën e administratorit të kompanisë.
Hetimi për aktivitetin e “ECO-ELB” është regjistruar që prej vitit 2024 dhe në fokus janë marrëdhëniet institucionale dhe financiare të kompanisë me tetë bashkitë e qarkut të Elbasanit.
Në kuadër të dosjes janë marrë në pyetje 43 persona, ndërsa verifikimet janë shtrirë edhe te zyrtarë të pushtetit vendor. Mes tyre përfshihen zëvendëskryetarë bashkish, drejtues të strukturave juridike dhe përgjegjës të financave.
668 pagesa nën verifikim
Një nga linjat kryesore të hetimit lidhet me pagesat e kryera nga bashkitë për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve, përfshirë depozitimin, trajtimin dhe djegien e tyre.
Sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit, në disa raste shërbimet e faturuara dhe të paguara mund të jenë kryer vetëm pjesërisht, për periudha më të shkurtra se ato të përcaktuara në kontrata, ose të mos jenë realizuar fare, pavarësisht pagesave të kryera.
Përmasat e hetimit u bënë më të qarta në qershor 2025, kur u raportua se ishin evidentuar gjithsej 668 pagesa të kryera nga tetë bashkitë e qarkut.
Hetuesit po verifikojnë secilën prej këtyre pagesave, me qëllim përcaktimin nëse shërbimet e parashikuara në kontrata janë ofruar realisht dhe në përputhje me detyrimet e përcaktuara.
Dosja penale është regjistruar për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqmenaxhimi i mbetjeve”.
Arrestimi i administratorit Leli Kaja është zhvillimi më i fundit i hetimit, ndërsa pozita e tij konkrete procedurale dhe akuzat që lidhen me të pritet të qartësohen me vendimin për masën e sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



