E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Arrestohet me urdhër të SPAK në Shkodër Bledar Cafi
Lajme

Arrestohet me urdhër të SPAK në Shkodër Bledar Cafi

Bledar Cafi, i njohur edhe me mbiemrin Bokrri, u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm në banesën e tij në Shkodër, në kuadër të operacionit të koduar “Muri i Lartë”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe BKH, nën drejtimin e SPAK.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, Gjykata e Posaçme kishte caktuar më 25 shtator 2026 ndaj Cafit masën e sigurisë “Arrest me burg”.

SPAK e akuzon për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Por arrestimi i fundit nuk është hera e parë që emri i Bledar Cafit lidhet me hetime dhe dënime për trafik narkotikësh.

Dënimi në Itali dhe arrestimi në vitin 2021

Më 4 qershor 2020, Gjykata e Triestes në Itali e dënoi Bledar Cafin me 4 vjet e 2 muaj burg për trafik droge në sasi të mëdha.

Në janar 2021, Policia e Shtetit e arrestoi në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Në atë kohë, Cafi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe autoritetet italiane e kërkonin për veprat penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafikim droge në sasi të mëdha”.

“Kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, 41-vjeçari i dënuar për veprat penale ‘Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal’ dhe ‘Trafikim droge në sasi të mëdha’”, njoftonte Policia e Shtetit në janar 2021.

Emri i Bledar Cafit është shfaqur edhe në një raport të Policisë së Shtetit. Sipas këtij raporti, Cafi dhe vëllai i tij, Gëzim Cafi, ishin objekt verifikimesh nga Operacioni Forca e Ligjit.

Raporti i referohej dënimeve të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë, si edhe pasurive dhe aktiviteteve ekonomike të familjes.

Sipas të njëjtit raport, Bledar Cafi kishte pasur në Shqipëri disa aktivitete biznesi, mes tyre një bar-kafe, aktivitet në sektorin e peshkimit në lumin Buna, si dhe një njësi për tregtimin me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore në Shkodër.

Pesë vjet pas arrestimit për llogari të drejtësisë italiane, Bledar Cafi është sërish në pranga.

Këtë herë, arrestimi lidhet me një hetim të SPAK dhe operacionin “Muri i Lartë”, i cili u zhvillua në Tiranë dhe Shkodër.

Kontrollet për Endrit Doklen

Në të njëjtin operacion, strukturat e Policisë së Shtetit dhe BKH-së ushtruan kontrolle edhe për gjetjen e Endrit Dokles, i njohur gjithashtu si Indrit Dokle.

Dokle është në kërkim që prej vitit 2024 dhe ndaj tij GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për akuza që lidhen me trafikimin e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.

Hetimet për operacionin “Muri i Lartë” vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për ekzekutimin e masave të tjera të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Posaçme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.