Arrihet marrëveshja, Irani zgjedh Udhëheqësin e ri Suprem (EMRI)
Asambleja e Ekspertëve thuhet se ka arritur një marrëveshje për zgjedhjen e udhëheqësit të ri suprem të Iranit, pas vrasjes së Ali Khamenei në fund të muajit shkurt.
Lajmi është bërë publik nga Mohammad-Mahdi Mirbagheri, anëtar i këtij organi, i cili në një deklaratë për agjencinë iraniane të lajmeve Fars News Agency u shpreh se është arritur një konsensus i plotë për përzgjedhjen e liderit të ri.
Sipas tij, procesi ka kërkuar diskutime të gjata dhe përpjekje intensive për të përcaktuar pasardhësin e Khameneit. Mirbagheri deklaroi se në fund u arrit “një mendim vendimtar dhe unanim” për emrin që pritet të marrë drejtimin e Republikës Islamike.
Edhe Hojjatoleslam Jafari, përfaqësues i Zanjanit në këtë asamble, u shpreh se shpreson që vendimi të pritet pozitivisht nga populli iranian. Ai theksoi se zvarritja e procesit për zgjedhjen e liderit të tretë suprem është konsideruar e padëshirueshme dhe se vendi ka nevojë për stabilitet në këtë moment delikat.
Sipas Kushtetutës së Iranit, është pikërisht Asambleja e Ekspertëve, një organ me 88 anëtarë, që ka kompetencën për të zgjedhur liderin suprem të vendit. Ky proces është aktivizuar pas vdekjes së Ali Khamenei, i cili kishte mbajtur këtë post për gati 37 vite dhe u vra në një sulm amerikan në Teheran më 28 shkurt.
Një tjetër anëtar i këtij organi, Mohsen Heidari Alekasir, deklaroi se kandidatura është zgjedhur duke marrë në konsideratë edhe këshillat e vetë Khameneit për pasardhësin e tij. Sipas tij, ish-lideri kishte theksuar se udhëheqësi i Iranit duhet të jetë një figurë që “urrehet nga armiqtë e vendit”.
Ai shtoi se edhe Shtetet e Bashkuara kanë përmendur emrin e kandidatit të mundshëm. Pak ditë më parë, ish-presidenti amerikan Donald Trump e kishte cilësuar djalin e Khameneit, Mojtaba Khamenei, si një zgjedhje “të papranueshme”.
Pra duket se pikërisht Mojtaba Khamenei mund të jetë përzgjedhur për të marrë postin e liderit suprem të Iranit, duke shënuar kështu një moment historik për drejtimin e Republikës Islamike.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



