Artan Fuga ironizon krahasimin e protestave: Si Enveri që barazonte Gradishtën me Parisin
Akademiku Artan Fuga ka reaguar ndaj përpjekjeve për të krahasuar protestat studentore në Shqipëri me lëvizjet e të rinjve në Francë dhe vende të tjera evropiane. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai e lidh këtë debat me një episod të periudhës komuniste, kur Enver Hoxha përdori lëvizjet studentore evropiane për të përcjellë mesazhin se rinia shqiptare dhe ajo e Perëndimit po luftonin për të njëjtin revolucion.
Sipas Fugës, krahasime të tilla rrezikojnë të shtrembërojnë kuptimin e protestave, duke lënë në hije arsyet që i nxjerrin qytetarët në rrugë, kërkesat e tyre dhe kontekstin politik e shoqëror në të cilin zhvillohen.
Akademiku e nis reagimin me një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj këtij interpretimi, duke argumentuar se propaganda mund të krijojë ngjashmëri të rreme mes lëvizjeve që kanë objektiva dhe rrethana të ndryshme.
“Kur dëgjoj, lexoj, shoh sesi barazojnë lëvizjet e protestave në Tiranë dhe gjetiu me lëvizjet studentore në Francë a gjetiu nëpër Evropë, buzëqesh hidhur”, shkruan Fuga.
Enver Hoxha dhe vizita në Gradishtë në vitin 1968
Për të shpjeguar qëndrimin e tij, Fuga rikthehet te viti 1968, kur protestat studentore në Francë u shndërruan në një nga ngjarjet më të rëndësishme politike dhe shoqërore të kohës.
Akademiku kujton se Enver Hoxha shkoi në Gradishtë, ku të rinjtë shqiptarë merrnin pjesë në aksione për ndërtimin e hekurudhave. Në atë kohë, sipas rrëfimit të Fugës, udhëheqësi komunist ua paraqiti të rinjve zhvillimet në Evropë si pjesë të një revolucioni proletar kundër kapitalizmit, duke e lidhur këtë interpretim me punën që ata kryenin në Shqipëri për ndërtimin e socializmit.
Fuga kundërshton pikërisht këtë barazim ideologjik. Sipas tij, lëvizjet studentore evropiane nuk mund të reduktohen në një përpjekje për revolucion socialist, ndërsa aksionet e detyruara nga fryma e sistemit komunist nuk mund të paraqiten automatikisht si dëshmi e ndërtimit të një shoqërie pa shfrytëzim.
“Në fakt, dy gënjeshtra bashkë”, shkruan akademiku, duke vënë në pikëpyetje si interpretimin që regjimi i bënte protestave në Perëndim, ashtu edhe mënyrën se si paraqitej puna e rinisë shqiptare.
Në këndvështrimin e tij, propaganda e kohës krijonte një realitet të përshtatur me interesat e pushtetit: studentët evropianë paraqiteshin si revolucionarë kundër kapitalizmit, ndërsa të rinjtë shqiptarë si ndërtues të një rendi shoqëror që premtonte barazi, pavarësisht kushteve në të cilat zhvilloheshin aksionet.
Protestat e sotme dhe rreziku i etiketimit politik
Fuga e lidh këtë episod historik me debatin aktual për protestat në Shqipëri, duke kundërshtuar përdorimin e etiketave politike që, sipas tij, nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht kërkesat reale të protestuesve.
Ai vë theksin te dallimi mes lëvizjeve studentore evropiane dhe protestave të zhvilluara në Shqipëri, ku një pjesë e qytetarëve dhe të rinjve shprehin pakënaqësinë ndaj problemeve ekonomike, sociale dhe politike, si dhe ndaj mënyrës se si funksionojnë institucionet.
Në reagimin e tij, akademiku përmend edhe akuzat për korrupsion dhe vjedhje të fondeve publike, duke i paraqitur ato si pjesë të pakënaqësisë që ushqen protestat në vend. Ai argumenton se këto shqetësime nuk duhen mbuluar me krahasime të përgjithshme ideologjike apo me emërtime që largojnë vëmendjen nga përmbajtja e kërkesave.
Sipas Fugës, komunikimi strategjik dhe propaganda mund të mjegullojnë dallimin mes fakteve dhe interpretimeve, duke ndikuar në mënyrën se si publiku i kupton zhvillimet politike dhe shoqërore.
Në përfundim, akademiku shpreh pakënaqësinë jo vetëm ndaj atyre që prodhojnë, sipas tij, interpretime propagandistike, por edhe ndaj personave që i përsërisin ato pa i vënë në diskutim.
Mesazhi i reagimit të tij është se protestat duhet të analizohen përmes shkaqeve, kërkesave dhe rrethanave konkrete, në vend që të futen në të njëjtën kornizë ideologjike vetëm për shkak të ngjashmërive sipërfaqësore.
REAGIMI i Artan Fugës:
Propaganda që barazonte Gradishtën me Parisin
(Nga budalliqet e historisë shqiptare)
Kur dëgjoj, lexoj, shoh sesi barazojnë lëvizjet e protestave në Tiranë dhe gjetiu me lëvizjet studentore në Francë a gjetiu nëpër Evropë, buzëqesh hidhur dhe them fali budallenjtë o Zot se nuk dinë çfarë flasin! Tmerr është, por propaganda dhe komunikimi strategjik ndërkombëtar gjithçka e bën lëmsh! Ngatërron gjithçka, prodhon keqinformim, dezinformim dhe lloj – lloj broçkullash të tjera. Dhe buzëqeshja më vjen si e shkrirë gazit kur më kujtohet një shembull gjashtëdhjet vjet më parë që si fëmijë e përjetova, por më pas e studjova me rrënjë. Në vitin 1968 në Francë dhe Evropë plasi lëvizja studentore që transformoi të gjithë botën, duke krijuar botën ku jetojmë, mirë a keq.
Enveri ynë shkon në Gradishtë ku bënin aksione rinia në ndërtim hekurudhash, një hap më larg se ku kishte vatrat e kampeve për të internuar. Mban një fjalim para studentëve që me shaje në qafë, me hov revolucionar brohorisnin dhe aprovonin fjalët e tij se studentët në Evropë po bënin revolucionin proletar aq të shumëpritur. Kurse ata po ndërtonin hekurudhat socialiste!
Ndërkohë e vërteta ishte se as bëhej fjalë për një interpretim të saktë. Vetëm revolucion proletar nuk donin studentët evropianë, ata ishin ngritur edhe kundër ideologjisë marksiste. Por, ne ashtu na u propogandua. Ashtu besohej se kapitalizmin po e hidhnin në tokë studentët. Pastaj oratori tha se të njëjtën gjë po bënte edhe rinia revolucionare në Shqipëri. Nuk po rrëzonte kapitalizmin, por po ndërtonte socializmin. Duke bërë punë vullnetare. I njëjti revolucion!
Në fakt dy gënjeshtra bashkë. Rinia evropiane nuk po rrëzonte kapitalizmin dhe nuk po bënte revolucionin socialist, dhe vullnetarët në aksion nuk po ndërtonte shoqërinë pa shfrytëzim, por po shfrytëzoheshin kot më kot për punë skllavi të papaguar!
Ja kjo më kujtohet sot kur dëgjoj se studentët në Evropë po bëjnë si ne Antifën, a ku dreqin e di se ç’emër i vënë autokratët injorantë, dhe se ne si ata po bëjmë Antifën. Ku kërkesat e studentëve Francezë e evropianë, për çfarë aspirojnë ata, dhe ku protestuesit paqësorë te ne, studentë a të tjerë, që nuk ç’plasin nga marazi kur zyrtarisht marrin vesh se dhjetëra hajdutë me çizlme u vjedhin edhe mundësitë e një jete minimale! Dhe buzëqesh hidhur, jo me ata që e bëjnë propagandën e gënjeshtër sepse mbrojnë vjedhjen në grup ku janë pjesëmarrës, por për ata që e përsërsin si idiotë, dhe ata që e besojnë si nevojë për të qetësuar ndërgjegjen e përgjumur!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



