Asgjë e re nga Qeveria Rama 4, përveç “veriores” DIELLA
Qeveria e katërt e Edi Ramës nuk është kabinet, as qeveri, por një skedar personal i Kryeministrit, ku emrat nuk zgjidhen për përfaqësim, por si shërbëtorë të NALTGJATËSISË. Në çdo dimension politik, komunitar, religjioz, ky është ekipi më pak përfaqësues që Shqipëria ka parë ndonjëherë.
Rama ka zgjedhur njerëz që nuk përfaqësojnë asnjë forcë, asnjë komunitet, madje as vetë Partinë Socialiste. Belinda Balluku dhe Elisa Spiropali, të vetmet që hiqen si figura politike, nuk janë produkte të PS-së, por sekretare dhe “delegate” të dalë nga Bashkia e Tiranës. Shumica e qeverisë së katërt është thjesht kloni i stafit të tij bashkiak: Gonxhe, Manastirliu, Koçiu, Balluku, të gjithë të rritur nën hijen e tij dhe që sillen si zgjatime të vullnetit personal të shefit.
Mirela Kumbaro është shembulli më i qartë i ministres që nuk ka lidhje me bazën e PS-së, por vetëm me “tarafin” e Ramës. E njëjta skemë shihet edhe tek rotacionet dibrane: nga Ulsi Manja te Besford Lamallari. Nuk është çështje përfaqësimi, por një hallkë lidhëse me SPAK-un, përmes miqësive të librave dhe tryezave të financuara nga Sorosi.
Emërimi i Andis Sallës në Bujqësi është qoka e radhës për rrethin e Olsi Ramës. Asgjë për fermerët, asgjë për bujqësinë. Thjesht një karrige e lënë peng në tavolinën e miqësive.
Me pak fjalë, kjo nuk është qeveri. Është një divan sulltanor, ku ulen vetëm ata që kanë hyrje te “Pashai i madh” dhe nuk guxojnë të përfaqësojnë askënd tjetër. As Tiranën, as Durrësin, as Fierin, as Shkodrën.
Në aspektin e përfaqësimit komunitar, qeveria e katërt e Ramës është zero. Përveç një algoritmi digjital të pagëzuar me emrin Diella, që tingëllon si “veriorja e vetme” në kabinet, nuk ka askënd që përfaqëson realisht shqiptarët.
Pra, në vend të një qeverie për popullin, kemi një staf privat të Edi Ramës, që nuk mbart mbi supe asnjë ideal, përveç lidhjes së tyre personale me shefin. Shërbëtorë të betuar të një njeriu të vetëm, që e sheh shtetin si divanin e vet personal.
P.S. Shërbëtorët nuk duhet, në asnjë mënyrë dhe për çfarëdo arsye, t’i prishin humorin Sulltanit!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



