E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Atentat i dështuar ndaj Mir Bitocit në Elbasan, policia arreston autorin
Lajme

Atentat i dështuar ndaj Mir Bitocit në Elbasan, policia arreston autorin

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar momentet e një tentative vrasjeje të ndodhur mesditën e kësaj të shtune në Elbasan, ku shënjestër ishte Ermir Bitoci, i njohur gjithashtu si Ermir Kërtezi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, në ambientet e një lokali ku në atë moment ndodheshin edhe qytetarë të tjerë.

Në pamjet e sigurisë dallohet autori i dyshuar teksa qëndron fillimisht në një tavolinë, në shoqërinë e një gruaje. Në një pjesë tjetër të lokalit ndodhet Bitoci, i cili pas disa çastesh ngrihet dhe largohet nga ambienti.

Pak sekonda më vonë, personi i veshur me bluzë të bardhë ngrihet nga tavolina dhe del pas tij.

Ngjarja merr një tjetër përmasë jashtë lokalit. I dyshuari i afrohet Bitocit nga pas dhe i drejton një pistoletë në pjesën e pasme të kokës.

Në momentin kur arma i drejtohet në kokë, Bitoci duket se e kupton rrezikun dhe reagon menjëherë. Sipas të dhënave paraprake, ai arrin t’i shmanget autorit të dyshuar dhe largohet me vrap nga vendi i ngjarjes.

Dyshohet se arma e zjarrit është bllokuar në momentin e tentativës, duke bërë që autori të mos mund të qëllonte ndaj shënjestrës.

Pas ngjarjes, Policia e Elbasanit ka arrestuar autorin e dyshuar të atentatit të dështuar. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, motivin dhe nëse ka persona të tjerë të përfshirë.

Tentativa e vrasjes ndodhi në një ambient publik dhe në prani të disa qytetarëve, duke e bërë edhe më të rëndë situatën e krijuar.

Ermir Bitoci, i njohur edhe si Ermir Kërtezi, mësohet se jeton prej vitesh jashtë Shqipërisë. Emri i tij është përmendur në lidhje me trazirat dhe episodet kriminale të periudhës 1997–2000 në Elbasan.

Autoritetet pritet të verifikojnë të shkuarën e tij, lidhjet e mundshme dhe konfliktet që mund të kenë çuar në organizimin e atentatit, ndërsa një nga pistat kryesore të hetimit mbetet identifikimi i motivit dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.