E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Atentati në Sarandë, kush është Thimjo Rubati, me dy identitete
Lajme

Atentati në Sarandë, kush është Thimjo Rubati, me dy identitete

50-vjeçari me precedentë penalë, djali në kërkim për dhunimin e policit

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati me armë zjarri që tronditi mbrëmjen e së premtes qytetin e Sarandës. Objektiv i sulmit ka qenë Thimjo Rubati, 50 vjeç, i njohur edhe me identitetin Sandër Rubati, i cili mbeti i plagosur pasi u qëllua me armë zjarri pranë biznesit të tij në lagjen nr. 4.

Sipas burimeve paraprake, dy persona të maskuar me skafandra, që lëviznin me motomjet, kanë hapur zjarr në drejtim të 50-vjeçarit, duke e goditur me tre plumba. Pas sulmit, autorët u larguan me shpejtësi nga vendngjarja.

Rubati u transportua fillimisht në Spitalin e Sarandës, ku mori ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas u dërgua drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.

Person me precedentë penalë

Thimjo Rubati nuk është një emër i panjohur për autoritetet.

Sipas të dhënave, ai rezulton me precedentë penalë të mëparshëm. Në vitin 2002 është arrestuar për trafikim të të miturve, ndërsa në 2012 është arrestuar për rrëmbimin e një 16-vjeçareje.

Burime bëjnë me dije gjithashtu se ai ka qenë i proceduar edhe për vepra të tjera penale, që lidhen me trafikimin e emigrantëve të paligjshëm, kontrabandën, armëmbajtjen pa leje dhe trafikimin e mjeteve motorike.

Dyshohet për lidhje me dhunimin e policit

Hetuesit po verifikojnë nëse atentati ka lidhje me një tjetër ngjarje të rëndë të ndodhur vetëm një natë më parë, po në lagjen nr. 4 të Sarandës, ku u dhunua efektivi i Policisë, Mihal Velço.

Sipas Policisë, në kërkim për atë ngjarje janë shpallur Andrea Rubati, 27 vjeç, Antonio Lefteri, 30 vjeç, dhe Engjëll Dalanaj, 30 vjeç.

Burime bëjnë me dije se Andrea Rubati është djali i Thimjo Rubatit, çka ka bërë që grupi hetimor të verifikojë nëse ekziston një lidhje mes dy episodeve kriminale.

Sipas njoftimit të Policisë, efektivi Mihal Velço ishte sulmuar dhe ishte kanosur me thikë pasi kishte ndërhyrë për të ndaluar manovrat e rrezikshme që tre të rinjtë po kryenin me motomjete në qytet. Pas identifikimit të autorëve të dyshuar, policia zhvilloi kontrolle në disa banesa, por ata nuk u lokalizuan dhe vijojnë të jenë në kërkim.

Hetimet vijojnë

Policia ka rrethuar zonën ku ndodhi atentati dhe po vijon kontrollet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po heton në disa pista, përfshirë edhe mundësinë që atentati ndaj Thimjo Rubatit të ketë lidhje me ngjarjen e një nate më parë, megjithëse deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për motivin e sulmit.

“Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.”,njofton policia.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.