Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik” në Dobraç para disa ditësh, raportohet se ka ndërruar jetë në spital 67-vjeçari Bashkim Basha, i cili u plagos rëndë pasi motomjeti me të cilin ai qarkullonte u përplas nga makina e Hamza Licit, ndaj të cilit u qëllua me armë zjarri.
Hamza Lici dhe Arlind Bushati humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri, të cilat u kryen nga persona ende të paidentifikuar.
Breshëria e plumbave i ka marrë jetën Licit në vendngjarje, por duke qenë në drejtimin e automjetit ai ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka përplasur çiftin e bashkëshortëve Bashkim dhe Flutra Basha.
Flutura Basha, 56 vjeç, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshorti i saj luftoi me vdekjen deri mëngjesin e sotëm.
Çifti i bashkëshortëve po shkonte të kujdesej për një tokë që ishte afër zonës ku ndodhi krimi. Ata u gjendën në kohën e gabuar, në vendin e gabuar.
Brenda pak ditësh, pritet që dosja e masakrës së Dobracit, pritet ti kalojë për kompetencë prokurorisë së Posacme SPAK. Burime pranë Policisë së Shkodrës bëmë me dije se pas masakrës ka patur asistencë nga SPAK për të hedhur dritë mbi ngjarjen, ndërsa nga hetimet e deritanishme rezulton se krimi është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
Për shkak se SPAK ka kompetencë për të hetuar grupet kriminale, prokuroria e Shkodrës, pritet të shpallë moskompetencën dhe ta përcjellë për në Tiranë. Në SPAK ndërkohë po hetohen shumë ngjarje të rënda të ndodhura vitet e fundit në Shkodër, pasi dosjet janë përcjellë në secret të plotë.
Në atentatin në Dobrac u ekzekutuan Hamza Lici e Arlind Bushati. I pari është vëllai i Ibrahim Licit, një prej njerëzve më të kërkuar të drejtësisë shqiptare dhe në konflikt te fortë me fisin Bajri. Ndërsa Bushati është djali i politikanit vendor Xhemal Bushati, biznesi i të cilit më herët ishte shkatërruar me tritol.
Në ngjarje mbeti viktimë Flutura Basha, e cila po udhëtonte me bashkëshortin e saj me motorr në momentin kur makina e viktimave teksa doli nga rruga e aksidentoi për vdekje. Bashkëshorti i saj ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë. Lidhur me ngjarjen e rëndë janë shpallur në kërkim policor, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, lidhje shoqërore e fisit Bajri.
Njoftimi i policisë:
Shkodër/Informacion shtesë.
Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.
Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.