E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Atentati në Tiranë, Skënder Hita pezullon nga detyra efektivin e Policisë
Lajme

Atentati në Tiranë, Skënder Hita pezullon nga detyra efektivin e Policisë

Policia e Tiranës ka hedhur dritë mbi ngjarjen e ndodhur gjatë mesnatës në zonën e Shkozës, ku mbeti i plagosur me armë zjarri efektivi 30-vjeçar Anxhelo Kumaraku, i cili në atë moment ishte jashtë shërbimit.

Sipas hetimeve paraprake, objektivi i atentatit nuk ka qenë polici, por 31-vjeçari Klejdi Spaja, me të cilin ai ndodhej në momentin e sulmit pranë banesës së këtij të fundit. Autorët e dyshuar, të identifikuar si dy vëllezërit Aldo dhe Ali Lika, kanë qëlluar me armë zjarri nga automjeti i tyre në drejtim të Spajës, duke plagosur aksidentalisht në këmbë efektivin Kumaraku.

Pas ngjarjes, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezërit, ndërsa vijon puna për kapjen e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndërkohë, vetë Klejdi Spaja është vënë në pranga, pasi rezultoi se kishte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, të vendosur më herët nga gjykata për armëmbajtje pa leje.

Ngjarja ka sjellë edhe pasoja administrative brenda radhëve të policisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të efektivit të plagosur. Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor ndaj tij për shkelje të rëndë, pasi dyshohet se ka qenë në shoqëri të një personi në shkelje të masës së sigurisë dhe nuk ka njoftuar strukturat përkatëse.

Efektivi i plagosur ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Njoftimi: 

Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në Shkozë.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas (vëllezër), të cilët dyshohet se tentuan të vrisnin me armë zjarri një 31-vjeçar, pranë banesës së tij.

Arrestohet 31-vjeçari, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Nga të shtënat u plagos aksidentalisht në këmbë një 30-vjeçar (punonjës policie, jashtë shërbimit), i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë.
Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për ngjarjen e ndodhur në mesnatë, në Shkozë, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. L., 33 vjeç dhe A. L., 22 vjeç, (vëllezër).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas kanë qëlluar me armë zjarri, nga automjeti i tyre, në drejtim të shtetasit K. S., i cili ndodhej pranë banesës së tij, bashkë me shtetasit A. K. dhe L. D.

Nga të shtënat është dëmtuar aksidentalisht në këmbë shtetasi A. K., 30 vjeç (punonjës policie, jashtë shërbimit). Ai po merr mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi K. S., 31 vjeç, pasi nga verifikimet rezultoi se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Po punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, ndaj punonjësit të Policisë A. K., Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, të parashikuar nga ligji nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pasi ky punonjës policie është konstatuar duke u shoqëruar me një person që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar me vendim gjykate për armëmbajtje pa leje, si dhe nuk ka njoftuar shërbimet policore dhe eprorët për rastin në fjalë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.