Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbardh një sërë shkeljesh flagrante në qeverisjen vendore të Sarandës
Bashkia e Sarandës është zhytur në një lumë shkeljesh, abuzimesh dhe mungesë totale transparence, duke shfaqur një realitet alarmant të keqmenaxhimit dhe shpërdorimit të kompetencave. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka publikuar një raport tronditës auditimi, i cili evidenton shkelje të rënda në administrimin e pasurive publike, tenderët dhe lejet e ndërtimit gjatë vitit 2023.
Pasuri të fshehura dhe të ardhura të munguara
Sipas raportit të KLSH, në pasqyrat financiare të bashkisë mungojnë plot 5,133 hektarë pyje dhe kullota, të dhëna me vendime të Këshillit të Ministrave, me një vlerë mbi 83 milionë lekë. Edhe pse janë pajisur me certifikata pronësie për këto pasuri, ato nuk janë pasqyruar në asnjë dokument financiar, duke i shkaktuar buxhetit të bashkisë një humbje prej 62 milionë lekësh në të ardhura potenciale.
26 aktivitete kulturore, 17 milionë lekë pa asnjë procedurë
Në një tjetër shkelje flagrante të ligjit, Bashkia Sarandë ka organizuar 26 aktivitete kulturore dhe artistike, me një kosto totale prej 17.3 milionë lekësh, pa zhvilluar asnjë procedurë të prokurimit. Fondet publike janë përdorur në mënyrë të paligjshme, pa transparencë dhe pa konkurrencë.
Tenderë të paracaktuar dhe dëm ekonomik shtesë
Në fushën e infrastrukturës, raporti evidenton se në 8 procedura të rikonstruksionit të rrugëve, janë vendosur kritere diskriminuese për operatorët ekonomikë, janë shpallur fitues firma me dokumentacion të paplotë dhe janë shmangur dokumente thelbësore të garancisë teknike. Si pasojë, është shkaktuar një dëm ekonomik prej mbi 32 milionë lekësh për punime të pakryera dhe efekte negative nga kontratat e zbatimit.
Leje ndërtimi pa dokumente, gjoba të paligjshme dhe inspektorë të heshtur
Në sektorin e ndërtimit, KLSH thekson se lejet janë dhënë pa dokumentacion teknik të plotë, me vonesa të pajustifikuara dhe në mungesë të elementëve ligjorë si licencat e mbikëqyrjes dhe projektet “as built”. Nga ana tjetër, Inspektorati i Territorit rezulton se nuk ka ndjekur procedurat ligjore për ndërtimet pa leje, nuk ka vendosur urdhra pezullimi dhe ka shqiptuar 71 gjoba të paligjshme, madje ka klasifikuar ndërtime të paligjshme si të ligjshme, në të paktën 6 raste.
Përfundimi i raportit është i qartë: Në Bashkinë e Sarandës ekziston një sistem abuziv i mirëorganizuar, që funksionon në mungesë të plotë kontrolli institucional. KLSH ka kërkuar marrjen e masave urgjente administrative dhe penale, ndërsa qytetarët e Sarandës vijojnë të mbeten viktimë e një modeli qeverisjeje pa llogaridhënie.