Tiranë, 21 Dhjetor 2024 – Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përmbyllur një vit plot angazhime dhe arritje në drejtim të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Europian. Sipas raportit vjetor, AMF ka përfunduar të gjithë kuadrin nënligjor për zbatimin e ligjit të ri mbi fondet e pensionit privat dhe ka draftuar ndryshimet për ligjin e sigurimeve dhe risigurimeve, të cilat priten të miratohen së shpejti.
Ndër arritjet kryesore të vitit, Autoriteti ka miratuar Rregulloren e Faktorëve të Riskut, e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar 2025. Rregullorja synon një qasje të re në vlerësimin e riskut, duke aplikuar prime të diferencuara bazuar në profilin e riskut të çdo të siguruari.
Në një konferencë për shtyp, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, znj. Enkelejda Kaçi, vlerësoi performancën e tregjeve nën mbikëqyrje, duke theksuar se ato kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe përmirësim të treguesve financiarë gjatë këtij viti.
“Transparenca dhe ndërgjegjësimi, prioritete kyçe”
Znj. Kaçi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me median si një mjet për të informuar dhe ndërgjegjësuar publikun mbi vendimet dhe ndryshimet rregullative. “Çdo lajm, analizë apo kronikë televizive që ju keni realizuar ka kontribuar në informimin e publikut dhe në rritjen e transparencës për sistemin financiar,” – u shpreh ajo.
Planet për 2025
Për vitin e ardhshëm, AMF ka planifikuar të fokusohet në:
•Thellimin e reformave rregullatore;
•Digjitalizimin e shërbimeve;
•Rritjen e mbrojtjes për konsumatorët dhe investitorët në tregjet nën mbikëqyrje.
AMF synon të vazhdojë përpjekjet për një treg financiar më të qëndrueshëm dhe të sigurt, duke përforcuar mekanizmat mbikëqyrës dhe duke u përshtatur standardeve më të larta ndërkombëtare.