E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avokati i Besmir Ali rrëzon auditin e Ministrisë së Arsimit
Lajme

Avokati i Besmir Ali rrëzon auditin e Ministrisë së Arsimit

Përplasje e fortë në UPT, paralajmërohet kallëzim penal

Debati për auditin e zhvilluar në Universiteti Politeknik i Tiranës është përshkallëzuar, pasi përfaqësuesi ligjor i administratorit të shkarkuar Besmir Ali ka kundërshtuar publikisht gjetjet e raportit të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Reagimi i avokatit vjen pas publikimit të dokumentit zyrtar të auditimit të brendshëm, i cili mban datën 23 dhjetor 2025 dhe është firmosur nga ministrja Mirela Kumbaro. Në këtë dokument, Drejtoria e Auditimit të Brendshëm e ministrisë i përcjell universitetit raportin përfundimtar të kontrollit të zhvilluar në nëntor të vitit 2025, duke kërkuar edhe marrjen e masave për zbatimin e rekomandimeve.

Sipas përmbajtjes së raportit, auditimi ka shqyrtuar procedurat administrative të institucionit dhe ka evidentuar problematika që lidhen me krijimin e një strukture të re brenda universitetit, të quajtur “Drejtoria e Shërbimeve ndaj të Tretëve”. Kontrolli ka ngritur dyshime se kjo njësi është ngritur pa respektuar plotësisht procedurat e përcaktuara nga kuadri ligjor për organizimin e institucioneve të arsimit të lartë.

Megjithatë, avokati i administratorit e konsideron të pabazuar gjithë procesin dhe pretendon se raportimi i bërë publik nuk pasqyron realitetin e çështjes. Sipas tij, një pjesë e informacionit që po qarkullon është i pasaktë dhe i ndërtuar mbi interpretim të gabuar të situatës.

Ai thekson se në lidhje me përbërjen e organeve drejtuese të universitetit ka edhe një vendim gjykate për masë sigurimi ndaj dy anëtarëve të rinj të emëruar nga ministrja, vendim që sipas tij nuk është zbatuar. Për këtë arsye, avokati paralajmëron se do të depozitojë kallëzim penal për shkeljen e këtij vendimi.

Sipas tij, një tjetër pikë që e bën të diskutueshëm raportin është mënyra se si është trajtuar krijimi i strukturës së re administrative. Avokati argumenton se kjo drejtori nuk përbën shkelje, pasi ka pasur rol kyç në aktivitetin financiar të universitetit.

Në reagimin e tij ai thekson se struktura në fjalë gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave të institucionit, duke pretenduar se rreth 80 për qind e të ardhurave të universitetit lidhen me aktivitetet që zhvillohen përmes saj. Për këtë arsye, sipas tij, konsiderimi i krijimit të kësaj drejtorie si shkelje ligjore është “i pajustifikuar dhe i pabazuar”.

Avokati sugjeron gjithashtu se konflikti institucional mund të lidhet me përplasjet për menaxhimin e të ardhurave që gjeneron kjo njësi. Sipas tij, pas gjithë situatës qëndrojnë tensionet mes strukturave drejtuese të universitetit për kontrollin e këtyre burimeve financiare.

Ndërkohë, dokumenti i auditimit i dërguar universitetit kërkon që brenda një afati ligjor drejtuesit e institucionit të hartojnë një plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve dhe ta përcjellin atë pranë Drejtorisë së Auditimit të Brendshëm në ministri.

Çështja pritet të vijojë në rrugë institucionale dhe ligjore, ndërsa reagimi i palës së administratorit paralajmëron një përplasje të re juridike rreth interpretimit të gjetjeve të auditimit dhe vendimmarrjes në strukturat drejtuese të universitetit.

Vendimi për sigurimin e padisë

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.