E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avullojnë premtimet! Rama premtoi, Kosova shkollon kuksjanët
Flash

Avullojnë premtimet! Rama premtoi, Kosova shkollon kuksjanët

Rustem Bela, 14 vjeç nga fshati Myç-Has, zgjohet çdo ditë në orën 5:30 të mëngjesit për të ndjekur shkollën në Prizren, rreth 55 kilometra larg nga shtëpia e tij. Ai është një nga pesë nxënësit nga qarku i Kukësit që ndjekin arsimin profesional në Kosovë, për shkak se në zonën e tyre mungon një institucion i tillë funksional.

Rustemi studion mekanikë në Qendrën e Kompetencës “11 Marsi”, shkolla më e madhe profesionale në Kosovë me rreth 1,500 nxënës dhe 18 drejtime të ndryshme.

Në Kukës, ndërkohë, arsimi profesional pothuajse nuk ekziston. Aktualisht funksionon vetëm një klasë me rreth 40 nxënës në degën e TIK, pranë gjimnazit “Havzi Nela”. Dy degë të tjera, të mbështetura më parë nga GIZ-i gjerman, nuk arritën të mbijetojnë për shkak të mungesës së interesit dhe infrastrukturës.

Sipas Zyrës Arsimore të Kukësit, arsyeja kryesore mbetet mungesa e një tregu të mirëfilltë pune, që dekurajon nxënësit dhe prindërit për të zgjedhur arsimin profesional.

“Prindërit zgjedhin gjimnazin sepse nuk shohin të ardhme konkrete përmes diplomave profesionale,” tha Ylber Çiku, specialist i arsimit në Kukës për BIRN.

Për të adresuar këtë problem, qeveria shqiptare ka premtuar rikonstruksionin e shkollës “Bajram Curri” dhe transformimin e saj në një qendër moderne arsimi profesional, me një kapacitet për 300 nxënës dhe kursantë. Projekti, me një vlerë prej 400 mijë eurosh, u përurua në dhjetor 2024, por 10 muaj më pas, punimet nuk kanë nisur ende.

Kompania që ka fituar tenderin, “INA”, e justifikon vonesën me procedurat për marrjen e lejes së ndërtimit.

“Leja nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit është miratuar, dhe pritet vetëm zbardhja e saj për të nisur punimet,” tha për BIRN Ferdinand Çaushi, pronar i kompanisë.

“Budallallëk i shekullit”

Nxënësit nga Kukësi dhe Hasi, që studiojnë në Qendrën e Kompetencave 11 Marsi në Prizren. Foto: Bashkim Shala.

Qendra e Kompetencës “11 Marsi” në Prizren mirëpret nxënës nga Kukësi dhe Hasi në veri të Shqipërisë, sipas një procesi rekrutimi që udhëhiqet nga Ministria e Arsimit të Kosovës.

Sipas zv.drejtorit për çështjet arsimore, Dashnor Kamberi, kërkesa është shumë e madhe, pasi diplomat e lëshuara nga Qendra e Kompetencës “11 Marsi” njihen edhe në Europë.

Kamberi theksoi gjithashtu se nxënësit nga Shqipëria po hasin një pengesë të panevojshme për t’u regjistruar në shkollën e tyre profesionale, pasi dy vendet nuk njohin ende dëftesat e njëri-tjetrit.

“Është një “budallallëk i shekullit “që Kosova nuk njeh deftesat e nxënësve nga Shqipëria. E njëjta ndodh edhe për deftesat e nxënesve nga Kosova që kërkojnë të studiojnë në Shqipëri, ku kërkohet nostrifikimi, apo validimi  I dëftesave në Ministritë e Arsimit respektive,” tha ai, duke e quajtur procesin e validimit mes dy vendeve një procedurë burokratike të panevojshme.

Ndryshe nga Kukësi, ku nxënësit e arsimit profesional kanë qasje të vështirë në tregun e punës, në Kosovë nxënësit paguhen gjatë ushtrimit të praktikës.

Enver Bytyçi, zv.drejtor për marrëdhëniet me biznesin në Qendrën e Kompetencës “11 Marsi” i tha BIRN se programet mësimore janë përshtatur gjithashtu me ato që ndiqen në shkollat profesionale në Gjermani.

 

“Profilet si automekanik, hidraulik, elektrik janë me programe si në Gjermani dhe diplomat nga kjo shkollë njihen në Gjermani dhe shtetet tjera perëndimore,” thotë ai.

Këto avantazhe duket se i kanë nxitur nxënësit nga Kukësi që të udhëtojnë drejt Prizrenit për të studiuar.

Albrim Ferati, nxënës i vitit të parë i tha BIRN se pas mbarimit të shkollës synonte që të punonte fillimisht në Prizren dhe më pas do të provonte Zvicrën.

“Pas mbarimit të shkollës nuk do kthehem  në Kukës, por do punoj në Prizren pasi ka treg pune për specialist të nxemjes qëndrore dhe më pas do provoj për në Zvicër,” tha ai.

Dy bashkëmoshatarë të tij nga Kukësi synojnë gjithashtu që të emigrojnë pas përfundimit të shkollës profesionale.

Drejtuesit e Qendrës së Kompetencës “11 Marsi” kanë shpërndarë së fundmi formularë për marrje burse edhe për nxënësit nga Shqipëria, pavarësisht se shtetësia përbën pengesë për përfitimin e saj.

“Le t’i plotësojnë formularët se ndoshta autoritetet përgjegjëse do të venë dorën në zemër edhe për nxënësit nga Kukësi,” thotë zv.drejtori Kamberi.

Qasja është e ndryshme nga autoritetet arsimore në Kukës.

Nxënësit nga Kukësi që studiojnë në shkollën profesionale të Prizrenit kërkojnë mbështetje financiare nga autoritetet shqiptare, por kjo konsiderohet prej tyre si e pamundur.

“Bursë u akordohet vetëm nxënësve që studiojnë në shkollat profesionale të Shqipërisë, të cilat kanë kapacitete të lira për nxnës që deshirojnë t’I frekuentojnë,” i tha BIRN Albert Muja, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Kukës./ BIRN

 

Qendra e Kompetencës “11 Marsi” në Prizren, ku studiojnë rreth 1500 nxënës. Foto: Bashkim Shala.
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.