Miti i debatit të lirë dhe realiteti i mediokritetit
Naim Noka
Nëse do të përshkruanim peizazhin mediatik në Shqipëri, termi më i saktë do të ishte “tezga e lirë e fjalës”, ku të gjithë shesin opinion, por shumë pak ofrojnë dije, përvojë apo analizë të thelluar. Çdo ditë, nga mëngjesi deri në mesnatë, në studiot televizive të Tiranës parakalojnë rreth 90-100 të ftuar gjithologë, të cilët komentojnë gjithçka – nga politika ndërkombëtare, ekonomia, reforma zgjedhore, deri te sportet dhe kultura pop. Kjo ndodh, ndërkohë që vende si Franca, Gjermania dhe Britania, me traditë të fortë demokratike dhe kapacitete shumë më të mëdha intelektuale, limitojnë praninë e analistëve dhe ekspertëve në media në mënyrë rigoroze.
Por në Shqipëri, “ekspertë të gjithçkaje” shfaqen kudo, duke ofruar më shumë opinion të pabazuar sesa analizë faktike. Moderatorët shndërrohen thjesht në lehtësues të monologjeve të ftuarve, të cilët shpesh nuk kanë as formimin bazë në temat që diskutojnë. Këto banaqe televizive, në vend që të edukojnë publikun dhe të promovojnë debat cilësor, kanë përfunduar në një formë të propagandës së lirë, ku aktorët kryesorë janë ose politikanë të dështuar që kërkojnë vëmendje, ose zëdhënës të partive politike që kamuflohen si analistë të pavarur.
Nga forum intelektual në arenë propagande
Shndërrimi i medias nga një platformë për edukim publik në një shtojcë të mitingjeve politike ka kontribuar drejtpërdrejt në rënien e cilësisë së demokracisë shqiptare. Në vend që të ndihmojnë qytetarët të kuptojnë realitetin politik dhe ekonomik, banaqet televizive amplifikojnë absurditetin, duke u kthyer në një teatër të antivlerave dhe përplasjes personale. Ky degradim i standardeve ndikon negativisht në formimin e një kulture politike dhe qytetare të shëndetshme, duke prodhuar një shoqëri gjithnjë e më të polarizuar dhe të dezinformuar.
Pesë paradokset e medias shqiptare
1. Mediat si biznes ndërtimi
Rreth 80%-90% e pronarëve të mediave shqiptare kanë interesa kryesore në sektorin e ndërtimit. Kjo krijon një konflikt të qartë interesi, ku raportimi i lajmit nuk është më qëllimi primar, por mbrojtja e interesave të biznesit të pronarëve, shpesh në kurriz të së vërtetës dhe interesit publik.
2. “Gazetarë” pa asnjë lidhje me gazetarinë
Një përqindje e madhe e atyre që sot shihen në media si moderatorë, komentatorë apo analistë, nuk kanë as formim profesional e as përvojë gazetareske. Ata janë thjesht përfaqësues të kamufluar të grupeve politike ose interesa të caktuara, që përdorin platformat mediatike për të shtyrë përpara axhendat e tyre personale.
3. Propaganda mbi informacionin
Në vend të lajmit të bazuar në fakte, shumica e mediave prodhojnë propagandë në shërbim të aktorëve politikë dhe ekonomikë, duke kontribuar në shpëlarjen e mendjes kolektive dhe deformimin e perceptimit publik mbi realitetin.
4. Politikanët që s’përmbushin standardet bazike
Një përqindje e madhe e atyre që sot mbajnë poste publike nuk kanë përgatitjen e duhur profesionale, ndërkohë që mediat u ofrojnë një hapësirë të pakufizuar për të shpërndarë demagogji, pa u përballur me pyetje kritike apo përgjegjësi për deklaratat që bëjnë.
5. Publiku si viktimë e informimit të deformuar
Kur mediat qëndrojnë në këtë nivel të ulët profesional, viktima kryesore mbetet publiku, i cili detyrohet të zgjedhë mes një morie dezinformimi dhe opinione të pavlera, ndërkohë që zëri i ekspertëve të vërtetë mbetet në periferi. Duhet theksuar se ndër emesionet politike që mbetet në shina profesionale dhe në shërbim të publikut, është “TPZ” në MCN TV i Ylli Rakipit.
Reforma e domosdoshme – Media dhe politika
Nëse Shqipëria synon të përmirësojë kulturën e saj politike dhe të ndërtojë një demokraci funksionale, reforma në media dhe në përfaqësimin politik është jetike.
• Media duhet të rikthehet te misioni i saj: të informojë, edukojë dhe të promovojë transparencë dhe llogaridhënie.
• Përfaqësimi politik duhet të kalojë në një filtër të rreptë cilësie dhe meritokracie, në mënyrë që banaku televiziv të mos mbetet më vendi ku çdo dështim bëhet analist dhe çdo gënjeshtër merr formën e lajmit.