Banorët e rrugës “Riza Abazi” në zonën e Farkës, në verilindje të Tiranës, kanë ngritur shqetësimin e tyre për gjendjen e mjerueshme të infrastrukturës rrugore, e cila prej 20 vitesh është lënë pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet lokale. Në pamjet e dërguara, shihet qartë rruga e pashtruar, e mbushur me gropa të mëdha të mbushura me ujë, duke e bërë të vështirë kalimin për këmbësorët dhe automjetet.
Sipas banorëve, premtimet e përsëritura nga zyrtarët e Bashkisë së Tiranës për riparimin e rrugës kanë mbetur të papërmbushura. Pavarësisht kërkesave të shumta dhe firmave të mbledhura ndër vite, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë për përmirësimin e situatës.
Të lodhur nga pritja e gjatë dhe mungesa e reagimit institucional, banorët kanë vendosur të marrin situatën në duart e tyre, duke u organizuar për të riparuar rrugën me shpenzimet e tyre personale. Kjo ndodh në një kohë kur ata vazhdojnë të paguajnë rregullisht taksat lokale, me pritshmërinë se këto fonde do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.
Një nga banorët shprehet:
“Përshëndetje, kemi një problem me rrugën, njësia bashkiake numër 2, rruga Shefqet Ndroqi. Jemi mbledhur vetë si banorë për ta rregulluar, pasi kemi 20 vite me të njëjtin problem. I kemi bërë kërkesat në Bashkinë Farkë, kemi të gjitha firmat e banorëve. 20 vite garanci i njëjti problem, vetëm na gënjejnë se do fillojnë këtë muaj, ose këtë muaj. Ju lutem na ndihmoni se ngelëm duke kaluar me çizme, rruga ‘Riza Abazi’ quhet.”
Kjo situatë nuk është e vetme në Tiranë. Më parë, banorët e fshatit Ferraj në njësinë administrative Dajt janë detyruar të shtrojnë vetë rrugën e lagjes së tyre, për shkak të mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet lokale. 
Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka njoftuar investime në infrastrukturën rrugore në zona të tjera të Farkës, siç është rikonstruksioni i “Rrugës së Agallarëve”.  Megjithatë, banorët e rrugës “Riza Abazi” ndihen të lënë pas dore dhe kërkojnë vëmendje urgjente për zgjidhjen e problemit të tyre të kahershëm.