Banorët e fshatit Rrjoll në Velipojë zbarkojnë para dyerve të SPAK
Banorët e zonës së Rrjollit në Velipojë kanë vijuar edhe sot kundërshtimin e tyre ndaj projektit për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdet, duke e zhvendosur protestën përpara ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.
Pas disa ditësh protesta në zonën ku pritet të ndërtohet kompleksi turistik, rreth 60 familje janë organizuar për të kërkuar ndërhyrjen e institucioneve dhe pezullimin e menjëhershëm të punimeve. Ata shprehen se projekti rrezikon të dëmtojë pronat, jetesën dhe karakterin e zonës, ndërsa pretendojnë se nuk janë dëgjuar nga autoritetet përpara dhënies së lejes së ndërtimit.
Protestuesit kanë paraqitur shqetësimet e tyre edhe përpara SPAK, duke kërkuar verifikimin e procedurave të ndjekura për miratimin e projektit dhe ligjshmërinë e dokumentacionit. Sipas tyre, institucionet duhet të hetojnë nëse janë respektuar të gjitha kriteret ligjore dhe interesat e komunitetit lokal.
Një ditë më parë, banorët deklaruan se leja e ndërtimit për resortin është firmosur nga zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ata kërkojnë transparencë të plotë për procesin e miratimit dhe ndalimin e përkohshëm të punimeve deri në sqarimin e plotë të situatës.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë protestat dhe do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar projektin, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë nga institucionet përgjegjëse.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



