Banorët e Kaninës kundërshtojnë punimet Bypass-in e Vlorës: 100 policë në terren, qytetarët bllokojnë punimet

Situata në Kaninë ka njohur tension të shtuar pasi rreth 100 forca policie janë vendosur në zonën ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e nënkalimit të Bypass-it të Vlorës.

Banorët kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar ashpër vazhdimin e punimeve dhe paralajmërojnë bllokimin e rrugës kombëtare, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Në qendër të konfliktit është nënkalimi në ndërtim, i cili sipas banorëve është projektuar me lartësi shumë të ulët, duke pamundësuar qasjen normale drejt tokave, ullishtave dhe banesave të tyre. “Vetëm na ka penguar. Nuk hyjmë dot në prona. Duhet të bëjmë rrugë të tëra për të shkuar atje ku më parë shkonim për pak minuta,” u shpreh një banor i zonës.

Banorët pretendojnë gjithashtu se cilësia e punimeve është e dobët dhe se mungesa e sinjalistikës ka sjellë një sërë incidentesh. Rrëshqitjet e dheut dhe gurëve kanë bllokuar rrugën në disa raste, duke izoluar banorët për ditë të tëra.

Bypass-i i Vlorës, një projekt me vlerë mbi 56 milionë euro, përfshin pesë ura, dy nënkalime dhe 15 kryqëzime. Megjithëse qeveria ka premtuar përfundimin e punimeve në prill të vitit 2025, qytetarët e Kaninës mbeten skeptikë. Për ta, ky projekt që duhej të sillte zhvillim ekonomik dhe turizëm, është kthyer në një burim të përhershëm zhgënjimi.

Publikuar nga Publik Media