Banorët e Mirakës në protestë: Na kanë lënë pa dalje, na izoluan!
Punimet për Korridorit VIII, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për të rikthyer lëvizjen dhe për të siguruar lidhje funksionale me zonat përreth
Banorët e Mirakës në Librazhd kanë dalë në protestë këtë të hënë, duke kundërshtuar mënyrën si po zhvillohen punimet për zgjerimin e Korridorit VIII. Ata shprehen se ndërhyrjet në infrastrukturë u kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe në disa raste i kanë lënë të izoluar.
Sipas banorëve, situata nuk prek vetëm Mirakën, por edhe disa fshatra të tjerë përreth. Ata theksojnë se 7 fshatra të Bashkisë Librazhd dhe 2 të Bashkisë Elbasan kanë mbetur me akses të kufizuar, duke lejuar qarkullimin vetëm në drejtimin Elbasan–Librazhd, ndërsa kthimi në kahun e kundërt është bërë i pamundur.
Problemet janë thelluar edhe më tej pas ndërprerjes së transportit ndërqytetas. Banorët që nuk kanë automjete private e cilësojnë situatën të papërballueshme, pasi nuk kanë mundësi të lëvizin drejt qyteteve apo të kthehen në banesat e tyre.
“Jo të gjithë kanë makina. Transporti publik është jetik për ne që jetojmë në fshat. Pa të, jemi të izoluar”, shprehen protestuesit.
Një prej banorëve sugjeron se zgjidhja është e thjeshtë dhe e realizueshme, duke propozuar një ndërhyrje minimale pranë ish-stacionit të trenit. Sipas tij, ndërtimi i një daljeje të shkurtër prej rreth 100 metrash asfalt do të zgjidhte problemin për të gjithë zonën.
Nga ana tjetër, qytetarët akuzojnë institucionet për mungesë reagimi dhe komunikimi. Ata theksojnë se asnjë përfaqësues i pushtetit vendor apo qendror nuk ka shkuar në terren për të dhënë sqarime, ndërsa prania e policisë ka qenë më e madhe se ajo e zyrtarëve.
“Askush nuk na dëgjon. Vijnë vetëm për vota. Nuk kemi ku të kalojmë dhe kemi edhe të sëmurë në shtëpi. Kjo situatë është e papranueshme”, u shpreh një tjetër banor.
Protestuesit ngrenë gjithashtu shqetësimin për distancat shtesë që duhet të përshkojnë çdo ditë. Në disa raste, banorët detyrohen të bëjnë deri në 7 kilometra më shumë për të hyrë apo dalë nga zona, duke rënduar jetën e përditshme të familjeve.
Edhe banorët e zonës së Polisit pretendojnë se problemet kanë nisur që në fazat e para të projektit. Sipas tyre, premtimet për hyrje-dalje funksionale nuk janë mbajtur, ndërsa zgjidhjet infrastrukturore të zbatuara nuk u shërbejnë komuniteteve lokale.
Ata kritikojnë gjithashtu mënyrën e realizimit të punimeve, duke ngritur dyshime për përdorimin e rrugëve dytësore dhe për standardet e ndërtimit.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe një zgjidhje konkrete që garanton akses të sigurt dhe funksional për komunitetin. Pas reagimit të tyre, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka deklaruar se do të shqyrtojë mundësinë e një zgjidhjeje teknike, duke u bazuar në kushtet e terrenit dhe standardet e sigurisë rrugore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco









