E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Banorët e Zvezdës në protestë, akuza për miliona të shpërdoruara
Lajme

Banorët e Zvezdës në protestë, akuza për miliona të shpërdoruara

“Paguan taksa prej dekadash, por ujë nuk ka, do hapim vetë puse se shteti ka dështuar”

Banorët e fshatit Zvezdë, pjesë e Bashkisë Maliq, kanë dalë në protestë për të ngritur alarmin mbi mungesën kronike të ujit të pijshëm, një problem që sipas tyre vazhdon prej më shumë se tre dekadash, pavarësisht investimeve të konsiderueshme në rrjetin e ujësjellësit. Ata denoncojnë se fondet e shpenzuara nuk janë reflektuar në përmirësimin e furnizimit, duke lënë komunitetin në të njëjtën situatë si vite më parë.

Sipas banorëve, qindra milionë lekë janë investuar ndër vite për ndërtimin dhe rikonstruksionin e sistemit të ujësjellësit, por mungesa e kontrollit dhe cilësia e dobët e punimeve kanë bërë që projekti të dështojë. Ata theksojnë se tubacionet janë vendosur pa u siguruar burimi i ujit, ndërsa defektet teknike kanë bërë që sistemi të mos funksionojë siç duhet.

Një nga shqetësimet më të mëdha mbetet furnizimi i përditshëm me ujë, pasi banorët detyrohen të mbushin ujë në një çezmë të vetme në fshat. Kjo situatë ka krijuar radhë të gjata që në orët e para të mëngjesit dhe, sipas tyre, ka sjellë edhe përplasje mes familjeve për një burim jetik.

Protestuesit shprehen se janë të gatshëm të marrin zgjidhjen në duart e tyre duke financuar vetë hapjen e puseve, me kusht që të mos detyrohen të paguajnë tarifën e ujësjellësit për një shërbim që nuk e marrin. Ata theksojnë se nëntoka e zonës ka burime ujore të mjaftueshme, por mungon vullneti institucional për t’i shfrytëzuar.

Përveç ujit, banorët ngrenë shqetësime serioze edhe për infrastrukturën në tërësi, duke përmendur gjendjen e amortizuar të rrugëve, mungesën e kanalizimeve funksionale dhe problematikat me energjinë elektrike. Sipas tyre, premtimet e përsëritura ndër vite nga drejtuesit vendorë nuk janë konkretizuar në investime reale.

Tensioni në komunitet mbetet i lartë, ndërsa protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit nëse nuk ka ndërhyrje të menjëhershme. Ata kanë paralajmëruar bllokimin e akseve kryesore rrugore në zonë gjatë ditëve në vijim, duke kërkuar zgjidhje konkrete për një problem që prek rreth 2,200 banorë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.