Bardhi sulmon 4 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese:
Shpikën argumente për të mbrojtur Ramën në dosjen “McGonigal”
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka hedhur akuza të forta ndaj katër anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke i akuzuar se kanë vepruar politikisht për të penguar hetimin parlamentar mbi çështjen “McGonigal”.
Në reagimin e tij lidhur me arsyetimin e vendimit nr. 62/2026 të Gjykatës Kushtetuese, Bardhi pretendon se gjykata ka përdorur standarde të ndryshme për kërkesat e opozitës, duke pranuar hetimin parlamentar për zgjedhjet e 11 majit, ndërsa ka rrëzuar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për dosjen “McGonigal”.
Sipas Bardhit, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, si dhe anëtarët Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska, kanë ndërtuar argumente që, sipas tij, nuk ishin përdorur as nga shumica parlamentare.
“Detyra kushtetuese e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk është të shpikin argumente për të ‘shpëtuar’ Edi Ramën. Detyra e tyre është të kontrollojnë kushtetutshmërinë e argumenteve të paraqitura nga shumica parlamentare,” deklaron Bardhi.
Ai shprehet më tej se katër gjyqtarët kanë kaluar rolin e tyre kushtetues dhe kanë hyrë, sipas tij, në një garë politike për mbrojtjen e Kryeministrit.
“Është një guxim i madh që atë që nuk e shpik dot as Taulant Balla për të mbrojtur Edi Ramën, e shpikin gjyqtarët kushtetues Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Ilir Toska. Detyra e tyre nuk është të konkurrojnë me Taulant Ballën se kush e mbron më shumë Edi Ramën, por të japin drejtësi kushtetuese,” citohet Bardhi.
Sipas tij, kërkesa e opozitës kishte përcaktuar qartë objektin dhe subjektin e hetimit parlamentar për çështjen “McGonigal”, duke përfshirë pretendime për takime, favorizime të dyshuara dhe ndërhyrje në sektorin e hidrokarbureve.
Në përfundim, Bardhi deklaron se, megjithëse e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese të gabuar dhe të papranueshëm, opozita do ta respektojë atë dhe do të depozitojë një kërkesë të riformuluar për ngritjen e Komisionit Hetimor në Kuvend.
Ai paralajmëron se, nëse edhe kjo kërkesë refuzohet, sipas tij do të krijohet përshtypja se në praktikën e Gjykatës Kushtetuese është konsoliduar parimi se “Edi Rama është i paprekshëm”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



