Barkodi i Kalasë së Libohovës, por të çon te faqet pornografike
Një incident i pazakontë është konstatuar në Kalanë e Libohovës, ku një barkod i vendosur për t’u dhënë turistëve informacion rreth monumentit historik rezultonte i lidhur me përmbajtje pornografike.
Vizitorët që tentonin të skanonin kodin me telefon për të mësuar më shumë rreth kalasë, në vend të informacionit turistik përballeshin me faqe me materiale të papërshtatshme. Rasti u denoncua pranë autoriteteve vendore pasi disa prej vizitorëve vunë re përmbajtjen ku i orientonte barkodi.
Pas marrjes së informacionit, Bashkia Libohovë ndërhyri duke hequr kodin nga tabela informuese dhe nisi verifikimin e situatës për të përcaktuar se si ishte ndryshuar destinacioni i tij.
Ende nuk ka një përfundim zyrtar mbi mënyrën se si ka ndodhur problemi. Një nga pistat që po verifikohet lidhet me mundësinë e komprometimit të adresës së internetit ku ishte orientuar barkodi.
Një tjetër mundësi e ngritur është skadimi i domenit të përdorur më herët nga një kompani e huaj që kishte realizuar dhe vendosur barkodet në disa prej pikave turistike.
Për të shmangur përsëritjen e një situate të tillë, është kërkuar krijimi i një aksesi të ri dhe kontrolli i barkodeve të vendosura në monumentet dhe sitet turistike.
Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe mirëmbajtjen e sistemeve digjitale që përdoren për informimin e turistëve, veçanërisht kur këto mjete janë të aksesueshme drejtpërdrejt nga çdo vizitor përmes telefonit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




