BBC për Aeroportin e Vlorës, Sazanin dhe Zvërnecin

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Si mund të ndërtohet një pistë në terren të përmbytur?

Një reportazh i zgjeruar nga BBC i ka kushtuar vëmendje zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke vendosur në qendër të analizës transformimin e vendit drejt një destinacioni turistik luksoz.

Gazetarja Emily Wither ka udhëtuar në Shqipëri për episodin e emisionit Assignment, ku ka eksploruar nga afër investimet strategjike në jug të vendit. Fokus i veçantë i dokumentarit janë zonat bregdetare si Sazani dhe Zvërneci, si dhe projekti i Aeroportit të Vlorës.

Reportazhi ngre pyetjen nëse Shqipëria është gati të ndryshojë imazhin e saj dhe të tërheqë turizëm elitar, ndërkohë që përmenden edhe emra të njohur investitorësh si Ivanka Trump dhe Jared Kushner, të cilët synojnë zhvillimin e resorteve luksoze në zonë.

Megjithatë, sipas gazetares, vendi paraqet një kontrast të fortë: zhvillimet moderne dhe vilat e reja bashkëjetojnë me ndërtesa të amortizuara, struktura bujqësore të braktisura dhe objekte të papërfunduara. Ky dualitet është veçanërisht i dukshëm në Vlorë, ku bukuria natyrore përplaset me realitete sociale dhe ekonomike të vështira për komunitetin lokal.

Një tjetër pikë kyçe e dokumentarit është ndërtimi i aeroportit, i cili përballet me sfida serioze për shkak të terrenit të lagësht dhe përmbytjeve të shpeshta. Në këtë kontekst, biologu Xhemal Xherri paralajmëron për rreziqet që këto kushte mund të paraqesin për qëndrueshmërinë e investimeve afatgjata.

Reportazhi thekson gjithashtu se trashëgimia e periudhës komuniste vijon të ndikojë në zhvillimin e vendit, përmes problemeve me pronësinë e tokës, akuzave për korrupsion dhe mungesës së infrastrukturës, faktorë që mund të pengojnë realizimin e projekteve ambicioze turistike.

Publikuar nga Publik Media