Belgjika merr fitoren e parë në EURO 2024

Belgjika regjistron fitoren e parë në EURO 2024, me skuadrën e Tedesco-s që triumfoi 2-0 ndaj Rumanisë në ndeshjen e javës së dytë në Grupin E.

Belgët dominuan të gjithë ndeshjen, duke diktuar ritmin dhe duke kërcënuar vazhdimisht portën e kundërshtarit, teksa në krahun tjetër, Rumania nuk ia doli të shfrytëzonte humorin e mirë pas fitores së parë ndaj Ukrainës.

Sfida nisi me ritmin e duhur, me Belgjikën që realizoi shumë shpejt, vetëm pas dy minutash lojë me anë të Tielemans, me mesfushorin e Aston Villa-s që shkundi rrjetën e portierit Nita.

Goli ndryshoi totalisht simfoninë e takimit, me belgët që kërcënuan përsëri ndeshjen, por mungesa e saktësisë përpara portës ndikoi që pjesa e parë të mbyllej 1-0.

Në fraksionin e dytë, Rumania provoi të krijonte rastet e saj për golin e barazimit, ndërsa vlen të theksohet se Casteels reagoi mirë sa herë u kërkua në apel.

Belgjika shënoi golin e dytë në minutën e 64-të me anë të Lukaku-t, por në fund, goli i sulmuesit u anulua për pozicion të parregullt.

Gjithsesi, ky moment nuk ndikoi në ritmin e skUadrës së Tedesco-s, me Belgjikën që kërkoi me ngulm golin e qetësisë që erdhi në minutën e 80-të nga ana e kapitenit Kevin De Bruyne që dërgoi në rrjetë pasimin e portierit Casteels, ndërsa mesfushori i Man. City-t realizoi golin numër 28-të me kombëtaren belge.

Publikuar nga Publik Media