Belinda Balluku humb betejën, mbetet e bllokuar në Shqipëri

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke lënë në fuqi masën e ndalimit të daljes së saj jashtë shtetit.

Vendimi është marrë nga gjyqtari Ilir Panda, i cili ka vendosur të mos ndryshojë masën e caktuar më herët nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Pasaporta e Ballukut është sekuestruar që prej 19 nëntorit, ndërsa ajo vijon të jetë nën masë sigurie, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj saj.

Ish-numri dy i qeverisë akuzohet për “shkelje të barazisë në tenderë”, ndërkohë që është gjithashtu nën hetim për çështjen e 7 loteve të Ujësjellësit të Unazës së Madhe, si dhe për përfshirje të dyshuar në disa procedura të tjera tenderuese.

SPAK kishte kërkuar më herët arrestimin e saj, por kjo kërkesë nuk u pranua, pasi mazhoranca socialiste në Kuvend refuzoi heqjen e imunitetit të deputetes.

Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit mbetet në fuqi, ndërsa hetimet ndaj Ballukut vijojnë.

Publikuar nga Publik Media