Banorët e një prej lagjeve më të mëdha të qytetit të Shkodrës, pas Komisariatit të Policisë po përballen me kushte të papërshtatshme dhe shumë të vështira për lëvizje për shkak të stopimit të punimeve në rrugën kryesore.
Punimet, të cilat filluan në muajin nëntor, janë ndërprerë totalisht, duke lënë rrugën në gjendje katastrofike për më shumë se një muaj.
Afati i përfundimit të punimeve, i cili ishte parashikuar në datën 10 prill, ka kaluar, por asnjë avancim i dukshëm nuk është bërë. Deri më tani, punimet kanë përfshirë vetëm disa hapje gropash, ndërkohë që e gjithë rruga mbetet e pa asfaltuar dhe e bllokuar për banorët dhe përdoruesit e tjerë.
Banorët janë të shqetësuar për nivelin e papërgjegjshmërisë në realizimin e këtij projekti.
Pavarësisht se punimet kanë filluar si pjesë e një projekti për kanalizimet dhe përmirësimin e infrastrukturës, situata aktuale ka krijuar shumë vështirësi dhe probleme për qytetarët.
Ata i bëjnë thirrje autoriteteve lokale, që të ndërhyjnë urgjentisht dhe të sigurojnë përfundimin e punimeve duke shmangur pengesat dhe duke siguruar një lëvizje të sigurt dhe të lirë për banorët e zonës.