Beograd, modelja gjendet e vrarë brenda një valixheje
Kishte dalë në një klub nate
Modelja ruse gjendet e vrarë brenda një valixheje, arrestohet një 24-vjeçar turk
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Serbinë, ku trupi i pajetë i një modeleje ruse është gjetur i futur në një valixhe të hedhur në një kanal në periferi të Beogradit.
Viktima është identifikuar si Lyudmila Turkova, 28 vjeçe, nga Shën Petersburgu. Ajo kishte udhëtuar në Serbi për një pushim dyjavor, por u raportua e zhdukur pasi kontaktet me familjen u ndërprenë papritur.
Sipas të afërmve, mesazhi i fundit i dërguar nga 28-vjeçarja ishte rreth orës 23:00 të datës 25 korrik, pasi kishte dalë për të takuar disa persona në një klub nate. Që nga ai moment, familja nuk arriti më të komunikonte me të.
Trupi i saj u zbulua në kanalin Vizelj, ku banorët vunë re një valixhe që lundronte në ujë dhe njoftuan menjëherë policinë. Gjatë operacionit të kërkimit u përdor edhe një qen i specializuar, i cili ndihmoi në lokalizimin e viktimës.
Autoritetet serbe kanë arrestuar një shtetas turk me inicialet K.E., i lindur në vitin 2001. Ai u ndalua në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, ndërsa, sipas hetuesve, po përpiqej të largohej nga vendi.
Sipas hetimeve paraprake, krimi dyshohet se është kryer në orët e para të 26 korrikut, brenda një apartamenti me qira në zonën Borça të Beogradit. I arrestuari konsiderohet personi kryesor i dyshuar për vrasjen e modeles ruse.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku autopsia pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes. Ndërkohë, policia dhe prokuroria serbe vijojnë hetimet për të zbardhur motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje makabre
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



