Berisha : Këto ishin zgjedhjet më të plaçkitura në 33 vite

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen me drejtuesit politik në qarqe, deklaroi se, këto zgjedhje ishin më të plaçkitura në 33 vite.

‘Plaçkitja, grabitja më e madhe e votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar. Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim. Pra, rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet që krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim pati në këto zgjedhje proporcione të papara ndonjëherë më parë. Njeriu që grabiti zgjedhjet, regjimi që grabiti zgjedhjet e vitit 2025, të 11 Majit, nuk e bëri këtë fshehtas. Ai e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie’, theksoi Berisha.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Mirëmbrëma dhe përshëndetje ju drejtuesve politikë të qarqeve, një përshëndetje të veçantë kam dhe një mirënjohje të pakufishme për ata qindra mijëra qytetarë që në kushtet më të vështira, votuan si qytetarë të lirë për vlerat, idealet që besonin, votuan kundër një regjimi që në traditën më antidemokratike, më antikombëtare, ka shndërruar krimin në faktor kryesor elektoral, krimin në votë dhe votën në krim.

Por unë kam një mirënjohje të veçantë gjithashtu për të gjithë komisionerët, vëzhguesit, numëruesit, të cilët përballen prej tre ditësh me presione nga më të ndryshme dhe mbrojnë me integritet votën e qytetarëve shqiptarë.

Një falënderim për të gjithë strukturat e angazhuara në këtë proces, i cili pati si rezultat final plaçkitjen, grabitjen më të madhe të votës në historinë 33-vjeçare të pluralizmit politik shqiptar.

Në këto zgjedhje u faktua në mënyrën më të pakundërshtueshme se sa më i madh vjedhja dhe korrupsioni, aq më shumë ato shndërrohen në votë dhe pas tyre vota në krim.

Pra, rrethi vicioz i krijuar në këtë narkoshtet që krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim pati në këto zgjedhje proporcione të papara ndonjëherë më parë.

Njeriu që grabiti zgjedhjet, regjimi që grabiti zgjedhjet e vitit 2025, të 11 Majit, nuk e bëri këtë fshehtas.

Ai e bëri këtë publikisht duke përdorur për këtë qëllim të gjithë potencialin e narkoshtetit me vendime qeverie.

Pra, ai shpërndau dhuratë për votë 70 milionë euro, 760 mijë pensionistëve, të cilët në hartën aktuale elektorale përbëjnë 48 përqind të votuesve në Shqipëri.

Kjo është shkelja publike më e rëndë, më e paprecedent.

Cilido që përpiqet të na bindë apo të na kundërshtojë ne se ky nuk është një megakrim elektoral, një blerje e hapur publike e votës, ose është bashkëpunëtor në këto para krimi, paguhet me këto para krimi që paguhet vota, ose pastaj nuk ka ABC-në më elementare të parimeve të zgjedhjeve të barabarta dhe të drejta.

Edi Rama nuk u përpoq të fshehë kësaj radhe asgjësimin e kodit zgjedhor dhe krimit elektoral.

Ai shpërndau në mes të fushatës 138 licenca për miliona bimë kanabisi. Mos harroni se një bimë kanabisi e ka prodhimin 1 mijë euro. Se si i ndau mafia e drogës bimët për vota, është shumë e thjeshtë. Por një bimë kanabisi është 1 mijë euro produkti.

Ai nuk e fshehu, por e bëri publike blerjen e votës kur dy ditë para zgjedhjeve fali më së paku 200 milionë euro gjoba dhe kamata të 10 viteve të fundit.

Publikuar nga Publik Media