Berisha në një linjë me Ramën, kundërshton kërkesat e protestuesve
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar kërkesat e artikuluara gjatë protestës së mbajtur në Tiranë, të lexuara nga Dritan Goxhaj, duke shprehur dakordësi për disa prej tyre, por edhe kundërshti të fortë për propozime të caktuara që lidhen me mënyrën e krijimit të qeverisë.
Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë kërkesën për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, si dhe propozimin për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate, një pikë që ai e konsideroi të domosdoshme për të garantuar rotacionin e pushtetit.
Megjithatë, ai doli kundër idesë së ngritjes së një qeverie përmes shortit, duke argumentuar se një mekanizëm i tillë bie ndesh me rendin kushtetues dhe praktikën demokratike, duke insistuar se çdo qeveri duhet të marrë votëbesimin e Parlamentit.
Berisha: “Së pari, në kërkesat e lexuara, e paraqitura nga Goxhaj, përsëritet dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës, kërkesë kjo që ne e mbështesim pa asnjë rezervë.
Së dyti, shtohet aty kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. PD është plotësisht dakord. Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe t’i bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë. Pse kjo? Sepse u bë e qartë që Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Këtë nuk e themi ne, por e thonë dokumentet ndërkombëtare. Atëherë ka një mençuri: ta largojë Kushtetuta. Të them edhe një gjë si kryeministër. Nëse ti punon për një program, 8 vite i ke absolutisht të mjaftueshme, jo për zbatimin 100% të tij, por për zbatimin e pikave më kryesore të tij dhe për zbatimin e tij në masën 80-90%.
Pra, çfarë qëndron në rastin e Edi Ramës, është që ai qëndron në pushtet pa zgjedhje. Unë kuptoj që protestuesit duan t’i japin një përgjigje të tillë nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës.
Kjo parti ka luftuar më shumë se kushdo tjetër kundër atyre ligjeve. Ka ndjekur çdo procedurë të mundshme kundër tyre, qoftë kundër ligjit për zonat e mbrojtura, për koncesionet dhe investimet strategjike. Rikujtoj një moment, në platformën tonë, investimi pa taksa është pranuar vetëm në zonat malore.
Para një jave kam propozuar një qeveri jopartiake, tranzitore. Jo e zgjedhur me short. Të votohet në Parlament. Një qeveri jashtë Kushtetutës nuk bëhet fjalë. Unë s’dal jashtë ligjit. Kam qenë ish-president, ish-kryeministër. Duhet të votohet nga Parlamenti, të marrë votëbesimin dhe të çojë vendin në zgjedhje.
Unë nuk e kuptoj atë propozimin e tyre që kanë për një qeveri jashtë Kushtetutës. Unë kam kuptuar kërkesën si një kërkesë jopartiake, të përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, në bazë të një marrëveshjeje, që do marrë votëbesimin e plotë. Unë këtë mekanizëm di.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



