Berisha trembet nga Salianji, tenton t’i dështojë takimin në Durrës
Pas lirimit nga burgu, ku kreu më shumë se dy të tretat e dënimit për çështjen e njohur si “Babalja”, ish-deputeti Ervin Salianji u prit si hero nga disa strukturat e Partisë Demokratike. Së fundmi, ai kishte paralajmëruar mbajtjen e një takimi me demokratët e Durrësit, në kuadër të një foltoreje për të diskutuar me anëtarët dhe strukturat e partisë.
Megjithatë, kjo iniciativë duket se ka shkaktuar trazira brenda radhëve të PD-së. Vetë kreu i partisë, Sali Berisha, ka reaguar menjëherë, duke e cilësuar takimin e Salianjit si të papërshtatshëm dhe jashtë statusit të partisë. Sipas Berishës, Partia Demokratike ka struktura të legjitime, dhe çdo anëtar mund të shprehë mendimet e tij vetëm brenda kornizave të përcaktuara nga partia.
Pas paralajmërimit të Berishës, drejtues të degëve të PD-së në Durrës, përfshirë Osman Stafën dhe Ardi Mukën, kanë dërguar mesazhe te anëtarësia, duke kërkuar që askush të mos marrë pjesë në foltoren e thirrur nga Salianji.
Kjo lëvizje e Berishës ka ndaluar zhvillimin e takimit, duke treguar tensionin në radhët e partisë më të madhe opozitare dhe përplasjen e dukshme mes drejtimit qendror dhe ish-deputetit. Burime nga PD-ja bëjnë me dije se njoftimet e shpërndara për këtë foltore nuk kishin asnjë lidhje me agjendën zyrtare të partisë dhe u konsideruan si veprim të paautorizuar.
“I nderuar anëtar i PD, dega Durrës!
Persona të paautorizuar kanë shpërndarë një njoftim për takim me strukturat tona. Ky njoftim nuk ka të bëjë as me Partinë Demokratike dhe as me agjendën e saj. Ai njoftim është fund e krye dezinformim.
Partia Demokratike sot ka në fokus të betejës së saj korrupsionin Rama–Balluku në Tunelin e Llogarasë dhe aferat e tjera korruptive të tyre. Ndërkohë jemi duke hyrë në procesin e brendshëm të analizës, gjithnjë vetëm brenda forumeve të Partisë.
Ndaj ne, si anëtarë të PD-së, distancohemi nga këto të ashtuquajtura takime të njoftuara për nesër, datë 3 Dhjetor.
Me respekt,
Kryetarët e degëve Durrës 1 dhe 2,
Ard Muka dhe Osman Stafa”, thuhet në mesazhin e shpërndarë nga PD Durrës.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



