E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Bisedat me Artur Hoxhosmanin: Na kanë spiunu!
Lajme

Bisedat me Artur Hoxhosmanin: Na kanë spiunu!

 “Tonat ranë në Rotterdam”  Zbulohet biseda mes Ramazan Rrajës dhe Hoxhosmanit për kokainën e sekuestruar në Holandë

Dokumentet e siguruara nga dosja e grupit kriminal që u godit nga SPAK kanë zbuluar një rrjet trafiku droge nga Amerika Latine drejt Bashkimit Europian, me emra të njohur për drejtësinë shqiptare në krye. Njëri prej tyre është Ramazan Rraja, i përfshirë më herët në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Këtë herë, ai del në skenë në rolin e porositësit dhe financuesit të një sasie prej 1484 kg kokaine të sekuestruar më 29 tetor 2020 në Rotterdam, Holandë.

Në aplikacionin e enkriptuar “SkyECC”, Rraja, nën pseudonimin JU6RE9, komunikon vazhdimisht me Artur Hoxhosmanin, i identifikuar me kodin VRHDIV. Në bisedën e datës 29.10.2020, të dy konfirmojnë që droga ishte e tyre dhe shfaqin mërzi, dyshime dhe revolta pas sekuestrimit të saj nga policia holandeze.

Në komunikimin e transkriptuar nga SPAK, Rraja thotë:

“Paska ra puna vlla, e jona në Rotterdam… Ja sa të shkoj ke shpia se kam videon. Do ia …. Maje mend ç’a do i boj… mka ik truni aty i kisha krejt shpresat.”

Sasia e sekuestruar – 1435 pako kokaine – ishte fshehur në thasë me kokrra kakaoje dhe kishte si “pronarë” të dyshuar Artur dhe Klevis Hoxhosmani, Ramazan Rrajën, dhe një person të paidentifikuar që përdorte emrin e koduar 6FJMOR.

“Big X”  spiuni misterioz që tradhtoi ngarkesën?

Në bisedat e siguruara nga SPAK, dyshimet për sekuestrimin bien mbi një person të quajtur “Big X”, i cili sipas tyre kishte dhënë sinjalin për të kapur drogën.

“Po vlla, po ty tkan thon dje, do të thotë që ato e kanë dit që dje… mtha i shok që i njef por hypjen direkt e njifni ju,” – shkruan BigX66N, duke aluduar për një rrjedhje informacioni të brendshme.

Pagesat për kokainën: jo banka, por 

sistemi “Hawala”

Në dosje janë përfshirë edhe foto kartëmonedhash dollari me shënime për pagesat e realizuara përmes sistemit të njohur si “Hawala” – një rrjet informal transferimi parash, që nuk kalon përmes kanaleve bankare, por përmes individëve që operojnë në vendet e ndryshme dhe që besojnë tek njëri-tjetri për shumat që kalojnë.

Ky sistem është përdorur shpesh nga rrjete të trafikut ndërkombëtar të drogës, dhe tani është bërë pjesë edhe e logjistikës financiare të krimit shqiptar jashtë vendit.

Rrënjët në atentatin ndaj Ndojës

Përfshirja e Ramazan Rrajës nuk është surprizë. SPAK ka identifikuar lidhjen e tij edhe me ngjarjen e rëndë të 1 nëntorit 2019, ku u plagos ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, dhe Aleksandër Laho (Rrumi). Për këtë atentat, SPAK ka dalë në përfundimin se porosia për eliminim erdhi nga Plaurent Dervishaj, i arratisur në Dubai, ndërsa ekzekutimin e besoi pikërisht Ramazan Rrajës, bashkëpunëtorit të tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Dosja SPAK shpalos një skemë ku krimi i organizuar shqiptar operon me teknologji të sofistikuara, komunikim të koduar dhe metodologji financiare të zhvilluara jashtë sistemit bankar, duke përdorur lidhje politike dhe rrënjë të thella kriminale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.