Bledi Mane i nxjerr “të palarat” Ergys Agasit
Si u vetshpall ‘mbret i shqiptarëve’ me pushtet dhe luks
Gazetari Bledi Mane ka reaguar me tone të ashpra dhe ironike në rrjetet sociale, duke publikuar një shkrim satirik të drejtuar ndaj Ergys Agasit, i cili prej ditësh përmendet në debatin publik për lidhje me pushtetin dhe afera të dyshimta.
Në postimin e tij, Mane përshkruan një skenë simbolike luksi dhe arrogance, duke iu referuar një nate të supozuar në Dubai, ku sipas tij Agasi shfaqet duke konsumuar verëra shumë të shtrenjta në shoqërinë e bashkëpunëtorëve, ndërsa ushtron presion dhe kërcënime ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Gazetari ironizon ndjesinë e pushtetit absolut dhe euforinë që, sipas tij, vjen nga paratë, krimi, tenderët dhe lidhjet politike, duke e paraqitur Agasin si një figurë që nga “monark lokal” kalon në vetëshpallje si “mbret”, falë ndikimit që i ka dhënë pushteti politik.
Në shkrim përmenden me emra disa ish-ministra dhe zyrtarë të njohur, për të cilët Mane aludon se kanë pasur marrëdhënie apo pazare me personazhin në fjalë, duke e portretizuar situatën si një rrjet të errët marrëveshjesh dhe presionesh.
Në kontrast me këtë realitet, Mane vë theksin te qytetarët e zakonshëm, të cilët, sipas tij, vazhdojnë jetën e përditshme larg luksit dhe frikës, ndërsa Agasi përshkruhet si i fshehur jashtë vendit, i izoluar dhe i përballur me pasojat e veprimeve të tij.
Në përfundim, gazetari shprehet se përgjegjësia nuk është vetëm individuale, por politike, duke nënvizuar se figura të tilla janë produkt i drejtpërdrejtë i qeverisjes dhe se paaftësia e tyre, sipas tij, përbën një dështim serioz për pushtetin që i ka promovuar.
Postimi i plotë:
I DASHUR ERGYS/ Po ta nis një letër në Dubai…
***
Atë natë që ti me çunat pije verën e shtrenjtë “Lafite Rothschild” 50 mijë euro shishja, ne të tjerët ishim në gjumë. Vera e kuqe u derdh në gotë, nga gota në gojën tënde, pastaj vazhdoi rrugëtimin nëpërmjet ezofagut e u plas në stomak. Aty për pak minuta u përzje me mishin e sapongrënë dhe pasi ngrohu muret e stomakut u përthith menjëherë nga gjaku. Gjaku e mori verën për dore dhe të dy shëtitën kudo në trupin tënd të dembelosur nga mirëqenia e sforcuar.
Më pas edhe gjaku, edhe vera trokitën në portat e trurit dhe euforia e prodhuar doli jashtë trurit tënd të vogël me dallavere të mëdhaja. Një moment tu duk vetja si monarku i Durrësit që bën ligjin edhe në Tiranë por aty u gëzove e u hidhërove në çast. Tu kujtuan prishjet e pazareve me ministrat dhe zyrtarët Damian Gjiknuri, Ilir Beqja, Frida Krifca, Ben Ahmetaj, Alqi Bllako, Mirlinda Kërçanaj e nuk përtove ti zgjoje nga gjumi. I telefonove, i shave, i kërcënove. Çunat në tavolinë kënaqeshin me ty dhe të yshtnin më tepër se vera e shtrenjtë.
Një gotë tjetër, një shishe tjetër dhe ti nga monarku i Durrësit u vetshpalle mbret i shqiptarëve. Fundja kishe të drejtë se para teje kriminelët, paraja, droga, tenderat, laviret, ministrat, deputetët parakalonin të frikësuar nga pesha e pushtetit që të kishte dhënë ty pushteti…
Vera e shtrenjtë e mbaroi ecejaken në trupin dhe trurin tënd, ti e shurrove, shurra u degdis nga gropat septike në tokë e pastaj fjete i lodhur nga grykësia dhe tangërlliku primitiv.
Ditën tjetër ne që nuk pimë verëra të shtrenjta u zgjuam si gjithmonë pa dhimbje koke ndërsa ti u zgjove në Dubai i fshehur. Ne të tjerët u ulëm të pimë kafen e mëngjesit në Tiranën plot energji ndërsa ti i frikësuar nuk do pish më as kafe, as verë madje as cianurin e turpit. Fundja cianurin e turpit le ta pinë ata që të zgjodhën ty që të drejtosh punët e pista. Ti rezultove i paaftë dhe kjo gjë nuk i falet qeverisë!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



