Bllokim në autostradën Tiranë-Durrës më 14 dhe 15 gusht
Ja si do të devijohet trafiku
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë të ditur se gjatë netëve të 14 dhe 15 gushtit 2026 do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në aksin Tiranë-Durrës, për shkak të punimeve që po zhvillohen për zgjerimin e superstradës.
Sipas njoftimit, nga ora 23:00 deri në 05:00 të dyja netëve do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës. Ndërhyrja lidhet me montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri në zonën e Kasharit, pjesë e projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës, Faza III”.
Për të mundësuar vijimin e qarkullimit dhe për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës, automjetet që udhëtojnë në drejtim të Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës.
Këto korsi do të përdoren përkohësisht për qarkullim në të dyja drejtimet, duke krijuar një skemë të përkohshme të menaxhimit të trafikut gjatë kohës së punimeve.
Ndërkohë, automjetet që kanë destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen pa pengesa, sipas organizimit të përcaktuar të trafikut.
ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes gjatë kalimit në zonën e punimeve dhe të respektojnë sinjalistikën e përkohshme rrugore dhe udhëzimet e autoriteteve.
Ndërhyrja pritet të zgjasë vetëm gjatë intervalit të përcaktuar të natës, ndërsa kufizimet janë vendosur në kuadër të punimeve për realizimin e fazës së tretë të zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës.
Autoritetet kanë kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për kufizimet e përkohshme që do të shoqërojnë punimet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



