Bllokohen 110 litra verë kontrabandë në Portin e Durrësit
Një operacion kontrolli në pikën doganore të Portit të Durrësit ka çuar në zbulimin dhe bllokimin e një sasie vere të padeklaruar, e dyshuar si kontrabandë.
Sipas njoftimit të Administratës Doganore, gjatë kontrollit të një autobusi u evidentuan 110 litra verë të paketuar në ambalazh tetra-pack, të cilat nuk ishin deklaruar pranë autoriteteve doganore.
Mjeti ishte përzgjedhur për kontroll të detajuar pas një sinjalizimi nga strukturat e monitorimit dhe fillimisht iu nënshtrua skanimit. Më pas, gjatë verifikimit të imtësishëm në vijën e dytë të kontrollit, të kryer nga strukturat e Antikontrabandës në bashkëpunim me Degën Doganore Durrës, u zbulua sasia e padeklaruar e verës.

Pas konstatimit të shkeljes, ndaj drejtuesit të mjetit është vendosur një masë administrative, duke u gjobitur me trefishin e detyrimit doganor për mallin e padeklaruar.
Ndërkohë, sasia e verës është sekuestruar dhe magazinuar nga autoritetet, ndërsa autobusi mbahet në pritje të përllogaritjes së detyrimeve përkatëse dhe përfundimit të procedurave administrative.
Autoritetet doganore bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë me intensitet për të parandaluar hyrjen e mallrave të padeklaruara dhe luftuar kontrabandën në pikat kufitare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



