Elvis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, ndaj të cilit SPAK ka lëshuar urdhër arresti për drejtimin e një grupi kriminal në Durrës, rezulton të ketë pasur lidhje të forta edhe me sektorin e ndërtimit dhe përfitimin e fondeve publike.
Sipas të dhënave të siguruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Open Data Albania, deri në qershor 2024, Doçi ka qenë pronar i kompanisë “VINTAGE”, një subjekt me aktivitet në import-eksport dhe tregti me shumicë e pakicë të produkteve ushqimore dhe të tjera. Kjo kompani ka përfituar rreth 8 mijë euro nga Bashkia Durrës për furnizimin e Qendrës Ditore të Moshës së Tretë me materiale pastrimi dhe dezinfektimi gjatë viteve 2019-2024.
Interesant është fakti se pagesat nga bashkia janë kryer vetëm gjatë kohës që kompania ishte në pronësi të Doçit. Pas kalimit të aksioneve në emër të një personi tjetër, Edmir Bakalli, në qershor të vitit të kaluar, “VINTAGE” nuk ka përfituar më asnjë transaksion publik.
Por jo vetëm kaq pasi pas urdhrit të arrestimit ndaj tij dhe sekuestrimit të kompanisë “Portside”, hetimet kanë zbuluar se Doçi është gjithashtu pronar i kompanisë “Eldemar Construction”, të cilës në vitin 2023 i është dhënë leje ndërtimi për një hotel 10-katësh në qytetin e Durrësit. Leja është firmosur nga Këshilli Kombëtar i Territorit, i kryesuar nga kryeministri Edi Rama.
Më shqetësuese është fakti se administratorët e kësaj kompanie rezultojnë persona me precedentë penalë të lidhur me trafikun e drogës. Në vitin 2010, Doçi caktoi si përfaqësues të kompanisë ish-policin Denis Tafili, ndërsa në vitin 2024 emëroi Gëzim Hasën si administrator – të dy këta persona janë arrestuar në Itali në vitin 2016 për përpunim dhe shitje heroine.
Sipas dosjeve hetimore, Gëzim Hasa ishte drejtues i një grupi kriminal, ndërsa Tafili kishte rol aktiv në trafikun e lëndëve narkotike. Të dy kanë shërbyer më herët si efektivë policie në Tiranë.
Zbulimi i këtyre lidhjeve midis bizneseve, ndërtimit dhe grupeve të strukturuara kriminale po nxit kërkesa për hetime më të thelluara ndaj mënyrës se si kompanitë private, të lidhura me persona të dyshuar, kanë përfituar leje ndërtimi dhe akses në fondet publike.
SPAK pritet të zgjerojë hetimin jo vetëm për aktivitetin kriminal të Doçit, por edhe për rrjetin ekonomik dhe administrativ që ai ka ngritur, i cili dyshohet se shërbente për pastrimin e parave të drogës.