E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Botoksomania e parukerive të lagjes, që po merr në qafë edhe vajzat adoleshente
Lajme

Botoksomania e parukerive të lagjes, që po merr në qafë edhe vajzat adoleshente

Naim Noka


Të kuptohemi  që në fillim, unë nuk jam kundër kurimit estetik tek gratë apo vajzat.

Por  kjo sëmundja e shiringave me botoks është rrënjosur thellë në kulturën e tyre duke u bërë jetike për vajzat dhe gratë e të gjitha shtresave, niveleve dhe pozitës së tyre shoqërore.

Është tronditëse të shohësh sesi në vend të zhvillimit të kulturës dhe intelektit, një pjesë e madhe e vajzave dhe grave në Tiranë  dhe në Shqipëri, kanë përqafuar një maní të rrezikshme dhe absurde për ndërhyrjet estetike, si botoksi.

Sot  policia njoftoi për operacionin  “Botulinum toxin” që tregon   një realitet të frikshëm: mbi 30 klinika estetike të paligjshme janë kapur duke tregtuar botoks kontrabandë, duke vënë në rrezik shëndetin e qytetareve për përfitime të shpejta financiare.

Ky fenomen, i nxitur nga një kulturë e deformuar e konsumit dhe një presion shoqëror absurd për pamjen perfekte, ka kapur në grackë mijëra vajza dhe gra që kanë si model disa të ashtëquajtura këngëtare, modele, blogere, tiktokiste, prezantuese,instagramshkruese.

Mania e botoksit shtrihet deri tek vajzat adoleshente të moshës 15 vjeçe.

Kanë apo nuk kanë para, shumica e gjejnë mundësinë e injektimit të nje shiringe botoksi. Ironia  është se edhe ato gra që nuk kanë  para për të paguar, e shënojnë emrin në listë debie pranë parukerive të lagjes.

Kjo ndodh sepse po të   fryhen herën e parë buzët, duhet vijuar ne periudha kohe që nuk mund  të jetë më shumë se 6 muaj.  Por nuk është thjesht një zgjedhje personale – është një simptomë e thellë e degradimit të vlerave të shoqërisë sonë.

Në vend që të investojnë në arsim, karrierë, apo aftësi që mund t’i ndihmojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre, shumë prej tyre zgjedhin të shtrembërojnë realitetin duke injektuar substanca të dyshimta për të arritur një ideal të pamundur bukurie.

Nëse ulesh në lokalet e vipseve apo vipsave, duhet  të numërosh me gishtat e dorës vajza apo gra që nuk kanë botoks në trup.

Skandali i kontrabandës së botoksit ka ekspozuar jo vetëm pasigurinë e këtyre klinikave, por edhe një shpërfillje të qartë për jetën dhe shëndetin e pacientëve.

Çfarë na tregon kjo për prioritetet e një pjese të madhe të shoqërisë tonë? Presioni që është kthyer në sëmundje tek gratë dhe vajzat që garojnë për pamjen e tyre të jashtme, në një klimë të mbushur me presione mediatike dhe estetikë artificiale, është e qartë që sistemi ynë ka dështuar në mënyrë spektakolare.

Nuk mund të anashkalohet as përgjegjësia e shtetit, i cili ka mbyllur sytë për vite me radhë ndaj abuzimeve në industrinë e bukurisë dhe estetikës.

Klinikat si ato të kapura nga operacioni “Botulinum toxin” nuk janë një fenomen i ri, por janë toleruar në një mënyrë të turpshme nga autoritetet.

Dhe ndërsa shohim arrestimin e administratorëve si Mildon Kumaraku dhe të tjerë, lind pyetja: sa prej këtyre klinikave operojnë ende në hije?

Sa  mijëra gra dhe vajza janë  viktima të kësaj kulture toksike të bukurisë së përkohshme?

Ndoshta vajzat dhe gratë,duhet të ndalen dhe të reflektojnë thellë mbi këtë çështje.

Nuk është vetëm çështje estetikë, është çështje shëndeti, vlerash dhe përparësish.
A do të lejojmë që gjeneratat e ardhshme të bien pre e të njëjtave mite të rrezikshme, apo do të përpiqemi të ndërtojmë një shoqëri që i nxit gratë të zhvillojnë forcën e tyre intelektuale dhe shpirtërore?

Të përqendrohemi te bukuria e brendshme është urgjente për të shpëtuar një shoqëri që po humbet sensin e saj duke fryrë ‘mollaqet’, buzët dhe pjesë të trupit të tyre  në parukeri lagjesh dhe qendra masazhesh.

Ju lutem shpëtoni veten dhe ruani shëndetin nga shiringat e “drogës” me botoks!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.