Braho i SPAK-ut fut në shënjestër perandoritë e krimit në Shqipëri
“Kush ka investuar paratë e drogës, do përballet me ligjin”
Pas aksioneve ndaj ndërtuesve të dyshuar për pastrim parash dhe goditjes së një grupi që dyshohet se ka trafikuar rreth 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, SPAK ka dhënë sinjalin më të fortë deri më tani për pasuritë e krijuara nga krimi.
Prokuroria e Posaçme duket se po zhvendos fokusin nga goditja e individëve drejt goditjes së drejtpërdrejtë të pasurive të tyre, duke trokitur gjithnjë e më fort te kullat, resortet dhe investimet e dyshuara si produkte të parave të paligjshme.
Pas operacionit të fundit, ku u sekuestruan 491 pasuri në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Himarën, Sarandën dhe Elbasanin, kreu i SPAK, Klodjan Braho, theksoi se pasuritë me origjinë kriminale përbëjnë një kërcënim serioz për ekonominë dhe konkurrencën e ndershme.
“Pasuritë me origjinë kriminale dëmtojnë ekonominë e ligjshme, konkurrencën e lirë dhe fuqizojnë krimin e organizuar. Ato përdoren për të financuar aktivitete kriminale dhe nuk sjellin asnjë të mirë publike,” u shpreh Braho.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar qindra prona, përfshirë vila, apartamente, hotele dhe resorte, si dhe 209 llogari bankare dhe mjete të ndryshme. Vetëm në zonën e Gjirit të Lalzit janë sekuestruar 121 prona, ndërsa hetimet kanë zbuluar një rrjet me shtrirje ndërkombëtare.
Sipas dosjes hetimore, fitimet nga trafiku i kokainës janë sjellë në Shqipëri dhe janë investuar në sektorë të ndryshëm si ndërtimi, turizmi dhe shërbimet, duke krijuar një ekonomi paralele të mbështetur mbi para të paligjshme.
Braho theksoi se këto pasuri duhet të sekuestrohen dhe të kalojnë në favor të shtetit, ndërsa garantoi se bizneset e ligjshme nuk do të preken nga këto hetime.
“Veprimet e SPAK synojnë vetëm pasuritë me origjinë kriminale. Në asnjë rast nuk do të cenohen të drejtat e pronarëve që kanë krijuar pasuritë e tyre në mënyrë të ligjshme,” deklaroi ai.
Pas dy operacioneve të mëdha brenda pak ditësh, mesazhi që vjen nga SPAK është i qartë: lufta nuk është më vetëm kundër trafikantëve, por edhe kundër perandorive ekonomike të ngritura mbi paratë e krimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



