E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Censusi doli! Askush nuk mungon!
Lajme

Censusi doli! Askush nuk mungon!

Gent  Strazimiri

Nuk mungon asnjë nga fëmijët që nuk janë në shkollat që po mbyllen për mungesë nxënësish, veçanërisht në periferi.

Nuk mungon asnjë prej studentëve që kanë lënë bosh auditoret në Universitete duke shkaktuar mbylljen e fakulteteve aq sa ish-Universitetet kanë më shumë pedagogë se studentë.

Nuk mungon asnjë nga mjekët e infermierët “e Gjermanisë” që nuk janë në spitale.

Nuk mungon asnjë nga bebet që nuk lindën në maternitetet tona këto 11 vjet!

Janë këtu.

Nuk mungon asnjë prej familjarëve, kushërinjve, shokëve e miqve të secilit prej nesh, sidomos ata që kishin njëfarë ekonomie.

Ata që shitën gjithçka “për të bërë letrat” në Evropë, Kanada e Amerikë.

Janë këtu edhe ata!

Nuk mungon asnjë prej atyre që flinin në çadra të improvizuara në brigjet e La Manche, në pritje të radhës për të hipur në gomonen e vdekjes drejt Anglisë.

Nuk mungon asnjë prej atyre që punojnë në “shtëpitë e barit” në Londër, madje as ata mijëra që janë kapur dhe vuajnë dënimin në burgje.

Janë këtu, të gjithë!

Janë këtu edhe të gjithë ata mijëra që paguan me mijëra pound, dollarë e euro organizatat kriminale që për shkak të këtij aktiviteti “letrash” janë dënuar këtu dhe në Evropë.

Nuk mungon asnjë prej 900 mijë shqiptarëve që, sipas statistikave evropiane kërkuan azil në BE këto 11 vite.

Ministrat e jashtëm e të brendëshëm të Francës, UK, Gjermanisë që vijnë e ikin për të biseduar për “emigracionin e paligjshëm”, kanë ardhur kot, se nuk kishte dalë akoma censusi…

Dhe ti nëne, babë e gjysh a gjyshe, mos qaj me lot malli për djalin, vajzën nipin a mbesën që lanë gjithçka dhe ta zbrazën shtëpinë e shpirtin.

I ke këtu, të gjithë!

Po s’besove, lexo censusin… janë këtu, asnjë nuk mungon!!!

Nuk e lexon dot se nuk e kupton?

Prit të fillojë java, se ta zbërthejnë fije e për pe’ mjerot nëpër studio, dhe do kuptosh që ke qarë kot…

I ke të gjithë në… census!!!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.