Çfarë fshihet pas përplasjes dajë-nip në perandorinë e tenderave?
Beteja për kontrollin e kompanive
Grupi FINMAN, miliona euro nga buxheti i shtetit
Ortakët e kompanisë “FINMAN”, Idajet Ismailaj dhe nipi i tij, Sokol Agalliu, janë përfshirë në një përplasje të fortë që tashmë ka dalë jashtë kufijve të biznesit familjar dhe ka përfunduar në kallëzime reciproke. Në qendër të konfliktit qëndrojnë interesat pasurore dhe kontrolli mbi një grup kompanish që operojnë në disa nga sektorët më fitimprurës në vend.
Sokol Agalliu, i cili zotëron 14.5 për qind të aksioneve të kompanisë përmes nënës së tij, akuzon dajën, Idajet Ismailaj, si dhe djalin e këtij të fundit, për dhunë fizike gjatë një mbledhjeje të asamblesë. Nga ana tjetër, edhe pala kundërshtare ka depozituar kallëzim ndaj Agalliut, duke e kthyer këtë përplasje në një konflikt të hapur mes dy degëve të së njëjtës familje.
Në qendër të kësaj historie, që në pamje të parë duket si një sherr banal familjar, ndodhet “FINMAN”, kompania mëmë që kontrollon 11 kompani, mes të cilave “Arena Center”, “AOS”, “ASAB”, “Manastiri Resort”, “Albstar” dhe të tjera.
Të dhënat nga Open Procurement dhe Open Data Albania tregojnë se vetëm “Albstar”, si e vetme apo në bashkëpunim me kompani të tjera, ka siguruar ndër vite kontrata publike me vlera prej miliarda lekësh. Në listën e institucioneve kontraktuese përfshihen Autoriteti Rrugor Shqiptar, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH), Bashkia e Tiranës, si dhe bashkitë e Vlorës dhe Fierit, ndër të tjera.
Megjithatë, pesha e grupit nuk kufizohet vetëm te tenderat publikë. Emri i “FINMAN” lidhet gjithashtu me projektin e debatueshëm në Gjirin e Manastirit, brenda zonës së mbrojtur të Butrintit, një investim që prej kohësh ka ngjallur reagime dhe kundërshti nga ambientalistët.
Kështu, ndërsa në sipërfaqe kemi një konflikt familjar mes dajës dhe nipit, në sfond qëndron kontrolli mbi një perandori biznesi që shtrihet në sektorë strategjikë, nga infrastruktura te turizmi dhe projektet me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë shqiptare.

Pesha ekonomike e grupit bëhet edhe më e qartë përmes listës së kontratave publike të fituara nga “Albstar”, të cilat përfshijnë:
- Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë (Faza VI) – 2.347 miliardë lekë.
- Ndërtimi i segmentit Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë – Urat mbi lumin Tiranë – 1.988 miliardë lekë.
- Ndërtimi i rrugës Kardhiq – Delvinë, Loti 5 – 1.785 miliardë lekë.
- Shtesë kontrate për rrugën Kardhiq – Delvinë, Loti 5 – 332 milionë lekë.
- Rehabilitimi dhe asfaltimi i rrugës Fushë Arrëz – Reps – 770 milionë lekë.
- Rehabilitimi i Lumit Gjanica dhe rikonceptimi i qendrës së Fierit – 676 milionë lekë.
- Hartimi dhe ndërtimi i godinës 2 në zonën zhvillimore “Kombinat” – 415 milionë lekë.
- Parkimi nëntokësor te Sheshi Italia – 336 milionë lekë.
- Blerja e autotransformatorit 300 MVA për OST – 284 milionë lekë.
- Punime mbrojtëse në HEC Koman për KESH – 230 milionë lekë.
- Ndërtimi i Fiderit F8 20 kV në Lushnjë për OSSH – 174 milionë lekë.
- Rikonstruksion urban pranë qendrës së qytetit Vlorë – 149 milionë lekë.
- Ndërtimi i tregut publik të produkteve bujqësore dhe blegtorale në Fier – 45 milionë lekë.
- Punime civile në zonën e minierës së Valiasit – 29 milionë lekë.
Për këtë arsye, përplasja mes dajës dhe nipit nuk mund të reduktohet në një konflikt të thjeshtë familjar. Ajo zhvillohet në majën e një grupi kompanish që kanë përfituar ndër vite miliona euro nga fondet publike dhe që kontrollojnë projekte të rëndësishme infrastrukturore, energjetike dhe turistike në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




