Çfarë ndodhi? Bllokohet ndërtesa misterioze “Amadeus Palace”
Në një nga segmentet më të rëndësishme hyrëse të kryeqytetit, në zonën e Qafës së Kasharit, prej vitesh bie në sy një godinë e pazakontë për nga përmasat dhe stili arkitektonik. E njohur si “Amadeus Palace”, kjo ndërtesë me pamje imponuese është ndërtuar si një investim ambicioz, por nuk ka arritur asnjëherë të vihet realisht në funksion, duke mbetur një strukturë enigmatike përgjatë aksit që lidh Tiranën me aeroportin dhe jugun e vendit.
Së fundmi, objekti është përfshirë në një proces bllokimi, pas ndërhyrjes së përmbarimit për shkak të një detyrimi financiar të pashlyer ndaj kompanisë nënkontraktore “Euro Beton 2005”. Burimet tregojnë se bëhet fjalë për një borxh prej rreth 1.5 milionë lekësh të reja, i cili daton që nga viti 2023. Për shkak të mosshlyerjes së këtij detyrimi, në janar të vitit 2026 është ndërmarrë rruga ligjore, ku Gjykata e Tiranës ka lëshuar urdhrin përkatës të ekzekutimit.
Në vijim të procedurave, përmbaruesi gjyqësor ka vendosur bllokimin e aksioneve të shoqërisë “Amadeus Palace” shpk, pasi subjekti nuk ka përmbushur detyrimet brenda afateve të përcaktuara nga ligji. Ky zhvillim e ka futur edhe më tej në ngërç situatën e një projekti që prej kohësh nuk ka pasur aktivitet të dukshëm.
Nga të dhënat e regjistrit tregtar, rezulton se kompania lidhet me Besim Elshanin dhe Elisabeta Gjonin (Elshani), të cilët kanë qenë të angazhuar ndër vite në disa struktura biznesi, si “Amadeus Group”, “Amadeus Palace” dhe “I.F.C”, me shtrirje në Shqipëri, Kosovë dhe Francë. Edhe pse janë bërë ndryshime formale në aksionerë ndër vite, pronësia në thelb ka mbetur e njëjtë. Në vitin 2022, subjekti ka deklaruar pezullimin e aktivitetit në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Aktualisht, godina vijon të qëndrojë e mbyllur dhe pa funksion konkret, ndërsa çështja e detyrimeve financiare dhe statusit ligjor të saj mbetet ende e hapur dhe në proces trajtimi nga institucionet përkatëse.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



