Raportiw gjeologjik për aksin Elbasan–Qafë Thanë kishte paralajmëruar rrezikun e rrëshqitjeve në zonën ku më 21 shkurt u shemb segmenti në “Arrat e Gurrës”, duke izoluar për ditë të tëra qytetarët nga Prrenjasi deri në Leskovik. Dokumenti 10-faqësh, i hartuar nga “Infrakonsult” dhe “HMK Consulting” dhe i firmosur nga inxhinierët Ramazan Myrto e Aranit Kacdedja, thekson qartë se përveç faktorëve natyrorë, rrëshqitje mund të shkaktohen edhe nga ndërhyrjet antropogjene, pra nga ndërtimi i veprave inxhinierike.
Kjo ngre dyshime të forta se punimet e Lotit 7, të kryera nga kompania “ANK”, mund të kenë ndikuar në shembjen e rrugës. Po kjo kompani kishte qenë më parë në qendër të kritikave edhe për rrëshqitjen e rrugës Korçë–Ersekë.
Hetimet e Prokurorisë së Elbasanit vijojnë prej dy muajsh, ndërsa janë sekuestruar dokumentet e tenderit dhe të projektimit. Paralelisht, emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar se në disa lote të këtij aksi punimet kanë nisur dhe pagesat janë kryer pa u zbardhur lejet e ndërtimit.
Për Lotin 1, ARRSH lidhi kontratën me “Alb-Building” më 5 dhjetor 2022, ndërsa leja u miratua vetëm më 8 mars 2023. Megjithatë, Belinda Balluku kishte firmosur paraprakisht pagesë 2.3 milionë euro dhe kompania ka marrë në total 25 milionë euro. Edhe për lotet 3, 4, 5, 6, 7 dhe 8, lejet janë miratuar me muaj vonesë, pasi kontratat dhe punimet kishin nisur më herët.
Sipas të dhënave, 7 nga 8 lotet e aksit 27-kilometërsh janë miratuar vetëm formalisht nga KKT, por lejet nuk rezultojnë të publikuara në faqen zyrtare të AZHT. Praktikisht, një pjesë e madhe e punimeve në Elbasan–Qafë Thanë dyshohet se janë kryer pa transparencë të plotë ligjore.
Ndërsa kryeministri Edi Rama dhe institucionet fajësuan reshjet dhe gjeologjinë, dokumentet tregojnë se rreziku ishte parashikuar dhe ndërhyrjet njerëzore ishin identifikuar si faktor potencial. Tashmë mbetet në dorën e Prokurorisë të përcaktojë nëse shembja ishte pasojë e neglizhencës teknike, projektimit të gabuar apo shkeljeve ligjore në ndërtim.







