Cinizmi i kryeministrit me “hambarin” e votave që e mbajnë në pushtet tre mandate
Landi Çela
Kryeministri Edi Rama nuk e ka për herë të parë të tallet me qytetarët, por me pensionistët, tallja është kthyer në një strategji cinike. Pasi u vodhi miliona euro me vonesën e indeksimit të pensioneve, duke mos ua dhënë në prill siç ishte premtuar, por vetëm në tetor, Rama sërish u paraqit me një qëndrim ironik ndaj të moshuarve në një takim me ta. Përmes fjalëve të tij, ai mundohet të fshihet pas justifikimeve, ndërsa realiteti është që vetë qeveria e tij i ka mashtruar dhe zhgënjyer më të dobëtit e shoqërisë – ata që kanë dhënë gjithçka për vendin dhe tani jetojnë me pensione të mjerueshme.
Në vend që të pranojë përgjegjësinë për këtë grabitje të hapur të pensionistëve, Rama guxon të thotë se të tjerët po i “vjedhin” të moshuarit duke mos paguar sigurimet shoqërore. Ky manipulim i paturp është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga dështimi i qeverisë për të rritur pensionet në mënyrë të dinjitetshme dhe për të përmbushur premtimet.
Për më tepër, kur i trajton me përçmim kërkesat e qytetarëve për uljen e pagave të deputetëve në favor të pensioneve, Rama tregon se sa i shkëputur është nga realiteti i përditshëm i shqiptarëve. Ai bën shaka se pensionistët kalojnë ditët me nipërit dhe mbesat, duke ironizuar shqetësimet e tyre legjitime. Ky është një tjetër moment që dëshmon se për Ramën, njerëzit e zakonshëm janë thjesht objekte propagande, jo qytetarë të vërtetë me halle dhe nevoja.
Ndërsa flet për rritjen e kontributeve dhe për ndëshkimin e atyre që shmangen nga pagesa e tyre, Rama harron se përgjegjës për mungesën e rritjes së pensioneve është pikërisht ai dhe qeveria që drejton. Talljet e tij nuk mund të fshehin faktin se janë të moshuarit, më të pafuqishmit dhe më të nënvlerësuarit, ata që po paguajnë çmimin e korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë së tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



